Vota për drejtorin e RTSH, deputetja e PS-së Evis Kushi: Çfarë do të thotë që ne nuk mbajmë përgjegjësi?

Komisioni i Medias mbajti një seancë dëgjimore me anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH në lidhje me procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së. Disa anëtarë të Këshillit drejtues u justifikuan se nuk kishin njohuri juridike, por kjo u kundërshtua nga nënkryetarja e Komisionit të Medias, Evis Kushi.

”Po e dëgjoj shpesh argumentin nuk jam ekspert ligjor e nuk marr përgjegjësi. Nuk është argument. Edhe njerëzit që janë në rrugë janë në shkelje të ligjit e kjo nuk do të thotë që dalin në gjykatë e thonë unë e shkela se nuk e njoh ligjin. Për më tepër që je pjesë e një institucioni të rëndësishëm. Nuk është argument kjo. Dhe ne nuk jemi jurist, por miratojmë cdo ditë ligje. Çfarë do të thotë që ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi. Keni përgjegjësinë ta ndryshoni. Është akoma më e rëndë që statuti ta dini që ka probleme e të mos merrni asnjë masë”,-tha deputetja e PS-së.

Pas reagimeve të shumta të organizatave mediatike, por dhe maxhorancës e opozitës më 30 janar Këshilli Drejtues i RTSH-së, pezulloi garën për zgjedhjen e Drejtorit të ri të RTSH-së. Procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri nisi 6 muaj pasi dha dorëheqjen drejtori i mëparshëm i RTSH-së, Alfred Peza, zgjedhja e të cilit gjithashtu u kontestua për shkak të karrierës së tij të gjatë politike pranë Partisë Socialiste.

SHKARKO APP