Votimi elektronik, Blushi: Ka kompani që e bëjnë brenda 75 ditëve
Themeluesi i LIBRA-s Ben Blushi prezantoi para gazetarëve propozimet e tij për reformën zgjedhore duke theksuar numërimin elektronik. Sipas Blushit, numërimi elektronik mund të realizohet brenda 75 ditëve, ndërsa akuzoi dy partitë e mëdha se kanë sabotuar reformën zgjedhore, duke mos kryer asnjë mbledhje në Komisionin e Posaçëm deri sa afati i tij përfundoi. Përsa i përket koalicioneve të LIBRA-s, Blushi tha se pas zgjedhjeve për kryetar në shkurt, do të vendoset edhe për aleancat e mundshme.
Tashmë është e qartë që reformë zgjedhore nuk do të ketë. Ky është përfundimi i Ben Blushit në bashkëbisedimin me gazetarët, duke akuzuar dy partitë e mëdha për sabotim të proçesit.
Blushi: Reformë zgjedhore nuk do të ketë dhe për fat të keq derisa mandatin i këtij Komisioni të skadojë në fillim të muajit shkurt me sa duket nuk do të ketë as amandamente dhe as zgjidhje të çështjeve thmemelore. Kjo tregon se sa seriozisht partitë e vjetra e kanë marrë reformën zgjedhore, çka përbën burimin kryesor të gjitha krizave në Shqipëri.
Ben Blushi nuk beson se do të ketë as votim dhe as numërim elektronik në zgjedhje, megjithëse sipas tij ka kompani që e bëjnë të mundur këtë praktikë brenda 75 ditëve.
Blushi: Ka kohë, ky votim sipas ekspertëve që kam konsultuar ka kompani të mëdha ndërkombëtare që mund ta aplikojnë për 75 ditë. Për 75 ditë mund të aplikohet një sistem numërimi elektronik në të gjithë Shqipërinë.
Për sa i përket partisë LIBRA, Blushi tha se në fund të shkurtit do të bëhen zgjedhjet për kryetar, dhe më pas do të mendohet për koalicionet e mundshme.
Blushi: Në fund të shkurtit do ti japim legjitimitet organizatës sonë dhe do të kemi zgjedhje të brendshme. Çështja e koalicioneve dhe kandidatëve të LIBRËS është çështje që i takon muajit mars.
Ndër propozimet e LIBRA-s janë edhe përmirësimi i ligjit të financimeve të fushatave dhe ulja e numrit të deputetëve në 100.
KOHA JONË SONDAZH

