“Zhdukja e Remzi Hoxhës, krim që kulmon në zyrën e ish-Presidentit”

 

Fjala e Ministrit Tahiri ne seancë plenare – 5 nentor

Nga Saimir Tahiri

Swiss Digital Desktop Reklama

Për interesimin dhe thirrjen që më bëri z.Braçe lidhur me çështjen e Remzi Hoxhës, por dhe për interesin e publikut, dua të bëj me dije se në detyrën që ushtroj kam marrë takim me të birin e të ndjerit Remzi Hoxha i cili ka kërkuar me të drejtë që Ministria e Punëve të Brendshme dhe në vijim pastaj prokuroria dhe sistemi gjyqësor të veprojë që një prej të dënuarve, Ilir Kumbaro, të bëhet ç‘është e mundur të vuajë dënimin, ashtu siç i takon në Shqipëri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit ka për detyrë të bëjë gjithçka për të rikuperuar atë që, pa asnjë dyshim, ka qenë një vonesë e qëllimshme për të mos bërë shteti detyrën e duhur që Ilir Kumbaro të vinte të vuante dënimin këtu atëherë kur i takonte, por u shty me dashje për të kaluar afatet, dhe për të kaluar çdo afat në shtetin anglez, vetëm e vetëm që mos të vinte këtu.

Dosja dhe vendimi gjyqësor disponohet dhe është mjaft i qartë për përgjegjësitë penale të gjithë atyre që kanë pasur, është pak të them gisht dhe dorë, por përgjegjësi të tmerrshme për ato që ju i quajtët me të drejtë, eshtrat e një shqiptari të zhdukur nga shërbimi sekret, në demokraci, pa asnjë përgjegjësi dhe pa asnjë letër përgjegjësi për këdo që me prova të padiskutueshme, të provuara këto nga prokuroria dhe gjykata, nuk bëri një ditë burg të vetme.

Ish-kryeministri tha këtu që nuk ka qenë në dijeni. Në fakt është provuar në gjykim që është vënë në dijeni tre ditë pas zhdukjes.

Është vënë në dijeni nga familjarët e të ndjerit Remzi Hoxha, duke i kërkuar atij, drejtpërdrejt të gjejë ku është Remzi Hoxha.

Ish-kryeministri në atë kohë President i Republikës është provuar në gjykim që është kontaktuar në zyrën e tij nga familjarët e Remzi Hoxhës për t'i kërkuar mëshirë, për t'i kërkuar t'i sillnin familjarin gjallë.

Është provuar në gjykim se drejtori i SHIK-ut të asaj kohe nuk ka kthyer përgjigje për muaj me radhë nëse targa e makinës i përkiste SHIK-ut apo jo.

Madje Gjergj Jorgo, në atë kohë shef komisariati në mos qofsha gabim, Agim Shehu, zëvendësministër në mos qofsha gabim, Bashkim Gazidede drejtor i SHIK-ut në atë kohë, të gjithë në varësi personale institucionale të Sali Berishës, nuk i kthenin përgjigje prokurorisë për muaj të tërë, nëse targa i përkiste apo jo SHIK-ut!

Ndërkohë është provuar në gjykim përtej çdo gjykimi, me prova se Ziso Kristopulli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha janë rrëmbyer, jo janë marrë, nga SHIK-u për t’u çuar në Vain të Lezhës, dy prej tyre u torturuan, i treti u torturua dhe nuk doli më gjallë.

I nderuar deputet, 
për kërkesën që më drejtuat, unë e kam për detyrë dhe në emër të përgjegjësisë që ushtroj, t'ju përgjigjem ju, deputetëve të Kuvendit, dhe qytetarëve dhe t'ju them se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka më hapësirë për të gjetur përgjegjësi ligjore të shtuara, lidhur me atë ngjarje, tek cilido që ka pasur një detyrë shtetërore në atë kohë, dhe me dije apo me më shumë se kaq, me veprime konkrete kriminale, ka shkaktuar torturën e tre personave, torturë shtetërore kriminale, një prej të cilëve i ndjeri Remzi Hoxha nuk doli më gjallë.

Për mua personalisht dhe këtu ndaj mendimin tim si deputet, ai ishte një krim shtetëror, që kulmonte pa asnjë dyshim tek zyra e ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Megjithatë Ministria e Punëve të Brendshme do të bëjë ç'është e mundur që t'i kërkojë autoriteteve angleze gjithçka ka në dorë, për të kapur dhe një herë për të sjellë para drejtësisë shqiptare, të vetmin përgjegjës që ka gjetur drejtësia shqiptare, për torturën ndaj tre shtetasve shqiptarë Ziso Kristopulli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha njëri prej të cilëve nuk doli më kurrë gjallë nga zyrat e SHIK-ut në Lezhë, në Vain të Lezhës.

Ju faleminderit shumë!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?