Disa këshilla për një martesë harmonike
Nga Jonida Ucaj Ponari, MSc në Psikologji Klinike, Ma në Këshillim Psikologjik
• Komunikimi – Theksi kryesor për të patur një martesë harmonike do të qëndronte tek komunikimi. Çdo çift ka mënyrat e tij të komunikimit. Kur diçka nuk shkon apo shihni ndryshime nga partneri është mirë që të bisedohet në lidhje me shqetësimin, pasi nëse humbet bashkëbisedimi dhe komunikimi bëhet i mbyllur, kjo i lë vend dyshimeve të cilat nga ana e tyre nuk përmirësojnë situatën ku ndodheni.
• Ecni në drejtim të njëjtë – Le ta konsiderojmë martesën “një anije në det të hapur”. Ju ndodheni në të njëjtën anije për të “shijuar” udhëtimin së bashku dhe jo për të bërë çmos që mos shihni “bukurinë e pamjes që ju rrethon”, duke u konfliktuar, duke luftuar për pushtet në çift se cili do jetë kapiteni, apo duke harruar arsyen pse vendosët fillimisht të hipnit në atë anije. E thënë ndryshe, drejtoni timonin e anijes në drejtim të njëjtë, pasi duke u përpjekur secili ta çojë në drejtim të kundërt, pamja që prisnit të ishte kartolinë me një det të qetë, do ju kthehet në det plot dallgë, nga ku nuk do dilni pa u lagur. E nga kjo varet dhe sa shumë do të “ftohet” marrdhënia juaj.
• Të mbash në vëmendje qëllimin fillestar të bashkimit – Qëllimi juaj fillestar i bashkimit ishte dashuria, ndaj bëni gjithçka me vepra apo fjalë në lidhje me përmbushjen e saj në vazhdimësi. Toleroni dhe bëni shpesh gjëra që e lumturojnë partnerin pasi do të shihni rezultat shumë të shpejtë. Mos jini egoistë, shpesh narçizismi e dëmton marrdhënien. Shiheni më sy pozitiv partnerin dhe respektojeni atë. Nxirrni në pah gjithçka pozitive të tij. Bëjani evidente vazhdimisht!
• Mos merr përsipër të ndryshosh partnerin – Ndonjëherë ne marrim përsipër misionin e pamundur të ndryshojmë njerëzit, botën, e ta kthejmë gjithçka e gjithkënd në funksionin tonë. Ndërkohë kjo nuk është e realizueshme, pasi do na vendoste në një pozicion të qendërzuar. Jo gjithçka rrotullohet rreth teje. Ndaj mos prit ta gdhendësh karakterin e partnerit ashtu siç do ti. Themeli tashmë është vënë. Çatinë mund ta ndërtoni bashkarisht! Nëse një “gur” në shtëpinë tuaj nuk është vënë siç njëri nga ju do të dëshironte, mos u merakos. Flit me partnerin/partneren! Thuaji si do ta dëshiroje. Gjeni një mes të artë aristotelian. Pranojeni atë për gjithçka ai përfaqëson. Premtimi që bëhet para Zotit është ta duash në të mirë dhe në të keq.
• Jini inkurajues të mirë për njëri tjetrin – Jo gjithmonë jeta ecën vaj. Jo gjithçka është ashtu siç ti do. Secili nga partnerët në bashkëjetesë i rritet përgjegjsia, i rriten angazhimet, përballet me sfida jashtë shtëpie, apo është duke luftuar për të arritur diku ose diçka. Jini inkurajues të mirë për njëri tjetrin! Mbështesni, ndërtoni, bëni ato që partneri/ja do të dëshironte të bënte për ju. Siguria që i jepni njëri tjetrit ju bën më të mbrojtur nga sëmundjet dhe nga problemet e botës jashtë.
• Thoni: Të dua! – Vitet kalojnë dhe shpesh thuhet se partnerët e kthejnë raportin e tyre në “motër dhe vëlla”. Ndaj bëni gjithçka që të mos humbisni pasionin. Kësaj pike i mëshoj fort. Pengesat që hasni gjatë rrugëtimit të përbashkët në çift mund të bëjnë që të harroni të shprehni sa e doni partnerin tuaj. Pavarsisht gabimeve, konflikteve, marrëzive të ndryshme të bëra gjatë ditës, mos harroni të thoni: “Të dua”. Është fjalë magjike, ajo ndryshon gjithçka për mirë.