Politologu austriak, Bieber: Përmes nëntokës kriminale, Vuçiç kontrollon veriun e Kosovës
Politologu dhe profesori në Universitetin e Grazit, Florian Bieber, nuk pret përhapje të ndonjë konflikti në veriun e Kosovës, por për të mund të ketë përsëritje të incidenteve të ngjashme me ato të 29 majit.
“Mendoj se duhet të kemi parasysh se probabiliteti që njësitë e ushtrisë serbe të kalojnë kufirin me Kosovën është jashtëzakonisht i ulët, duke pasur parasysh se operacioni paqeruajtës i KFOR-it është në fuqi në Kosovë nën mandatin ndërkombëtar dhe nën udhëheqjen e NATO-s”, shpjegoi Bieber për Deutsche Welle, duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me shqetësimin se sa mund të përshkallëzohet më tej ky konflikt.
Për të serbët e Kosovës nuk luajnë ndonjë rol të madh në politikën e brendshme të Serbisë, sepse janë vetëm disa dhjetëra mijëra.
”Lista Serbe në veri kontrollohet nga Beogradi, ka kontroll të fortë përmes nëntokës, nëntokës kriminale dhe strukturave të sigurisë. Prandaj, kjo do të thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kontroll të plotë në veri të Kosovës dhe u jep shumë pak hapësirë serbëve vendas që të artikulojnë problemet e tyre politike”, ka shpjeguar Bieber.
I pyetur se pse shumica e serbëve të Kosovës bojkotuan zgjedhjet lokale të muajit të kaluar kur kjo do të thoshte se shqiptarët etnikë po merrnin kontrollin e komunave dhe nëse kjo do të thotë se ata hapën një gropë vetes, Bieber mendon se çështja është se atyre institucioneve dhe kryetarëve të zgjedhur vërtet u mungon legjitimiteti demokratik.