
Visar Mehmeti nuk e përjashton mundësinë që shqiptarët të bëhen pjesë e qeverisë së re. “Partia fituese do të ftojë pakicat në këtë rast. Pa dyshim që do të kemi ftesë të ulemi e të shqyrtojmë çështjen e qeverisë. Ne kemi një marrëveshje që do të ulemi e të diskutojmë si shqiptarë, duke shpalosur platformën tonë”, tha Mehmeti, i cili është një nga dy deputetët shqiptarë që siguruan mandat në zgjedhjet e parakohshme në Serbi.
Ai u shpreh se rezultati me dy mandate është pozitiv, megjithëse synimi ishte sigurimi i tre vendeve në parlament. “Padyshim që është rezultat i mirë, por ndoshta shumë i mirë, ndonëse ne synonim 3 ulëse. Mbrëmë ishim shumë pranë ulëses së tretë, por fakti që dalja ka qenë masive në zgjedhje na pamundësoi që të siguronim ulësen e tretë në parlament”, tha ai në ”Report TV”.
Sa i përket Listës Studentore, Mehmeti tha se mbetet për t’u parë qëndrimi i saj ndaj shqiptarëve. “Lista Studentore ka shumë enigma, sepse nuk dihet çfarë ka në atë grupacion të madh. Aty ka studentë, liberalë, konservatorë, radikalë, ndaj ne jemi optimistë në këtë drejtim, por si fillim duhet të ulemi e të shohim qasjen direkte ndaj nesh”, u shpreh ai.
Për Kosovën, deputeti shqiptar nuk pret ndryshim në qëndrimin e Beogradit. “Sa i përket Kosovës, qasja do të jetë e njëjtë. Çdo parti politike në Serbi, ashtu janë krijuar dhe nuk mund të ketë diçka ndryshe. Mund të ketë ndoshta ndryshime të vogla simbolike, por te çështja e njohjes nuk do të ketë dallime”, deklaroi Mehmeti.
