Vr*sja e Liridonës, tre orë në prokurori dhe Naim Murseli jep version të ri për ngjarjen
Vrasja e Liridonës është ngjarja më e bujshme e 2023, pasi është e veshur ende me mistere. Naim Murseli, i dyshuar për vrasjen e gruas së tij, dha këtë të mërkurë një version krejt tjetër për ngjarjen, teksa u pyet për tri orë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, u shpreh se dëshmia e Murselit nuk është e njëjta më ata të publikuar më herët.
“Sot para Prokurorisë Themelore- departamenti për Krime të Rënda, në cilësinë e të pandehurit është dëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar është i orientuar në drejtim të veprës penale ‘Vrasje e Rëndë’ në bashkëkryerje nga neni 173 par 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe i pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale”.
Në seancat e radhës, do të dëgjohen edhe dëshmitarët e tjerë. Ndaj Murselit, rëndon vepra penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, ndaj Plavës vepra penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa ndaj Kokallës bashkëpunim në vrasje.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të viti të kaluar në Prishtinë, në një ngjarje që ishte inskenuar si grabitje, por më pas u zbulua se ishte plan i menduar deri në detaje për ekzekutimin e saj.