Zgjedhjet në Serbi. Fiton Vuçiç, në parlament edhe antishqiptari Sheshel

Serbia mbajti të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat vlerësohen me rëndësi për orientimin e saj politik drejt perëndimit apo Rusisë. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të Serbi, nxjerrin Partinë Përparimtare serbe të Alekasandër Vuçiçit fituese të rreth 50 për qind të votave.

Sipas këtyre rezultateve paraprake, Partia Socialiste radhitet e dyta. Por në këto zgjedhje rezultat jo të parëndësishëm ka marrë dhe partia e radikale e Vojisllav Sheshel. Rezultatet e rendisin ultranacionalisin Sheshel në vendin e tretë.

Votimet sikurse edhe fushata që u parapriu atyre, kaluan në shenjë të diskutimeve për drejtimin që do të marrë Serbia pas së dielës. Qeveria aktuale thotë se synon të ruajë lidhjet me Moskën, por njëkohësisht të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Grupet e djathta që fajësojnë perëndimin për pavarësinë e Kosovës, kërkojnë orientimin drejt Rusisë si aleate tradicionale e Serbisë.

Kryeministri i Serbisë, Aleaksandër Vuçiç, organizoi zgjedhjet e parakohshme në Serbi me synimin që të mbetet në pushtet dhe siç ka thënë të ketë një mandat të qartë për ta udhëhequr Serbinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, ai tha se njëkohësisht do të ruajë lidhjet me Moskën po ashtu. Dikur bashkëpunëtor i ngushtë i shefit të radikalëve serbë Vojisllav Sheshel, nga i cili u nda në vitin 2008, Aleksandër Vuçiç, tha se politikat e Sheshelit mund të dëmtojnë Serbinë dhe përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shumë serbë e shohin vetën viktimë të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që çuan në çlirimin e Kosovës dhe nuk shohin ndonjë përfitim nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Për ta lidhjet më Moskën janë më tërheqëse ndërsa kundërshtojnë marrëveshjen e arritur ndërmjet Serbisë dhe NATO-s me te cilën lejohet lëvizja e trupave të kësaj aleance nëpër Serbi.

Beogradi vazhdon të ruajë lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Edhe serbët e Kosovës votuan në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës.

Votimet u mbajtën nën përkujdesjen e Misionit të  Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë e cila po drejton operacionin e quajtur grumbullimi i votave. Ajo hapi pesë qendra të grumbullimit të votave, numërimi i të cilave do të bëhet në dy qytete në Serbi në Rashkë dhe Vranje.

SHKARKO APP