10 sekretet e kuzhinës që do të përmirësojnë shijen e recetave tuaja

Përgatitja e ushqimit në shtëpi është diçka e shëndetshme, por jo gjithmonë njohuritë janë të mjaftueshme. Ka shumë sekrete të cilat mund t’ju ndihmojnë dhe të përmirësojnë aftësitë tuaja në gatim.

AgroWeb.org ju njeh me disa nga sekretet e thjeshta dhe të shëndetshme të kuzhinës, të cilat mund t’i vini në zbatim menjëherë.

Pritini përbërësit në mënyrë uniforme.
Kjo metodë siguron që çdo pjesë e ushqimit të gatuhet në mënyrë të barabartë.

Mos shtoni përbërës në tigan derisa vaji të jetë mjaftueshëm i nxehtë.
Nëse vaji nuk është gati, ushqimi do ta thithë në vend që të skuqet në të dhe rezultati nuk do të jetë aq i mirë. Por kini kujdes të mos e digjni.

Për skuqje më të mirë, fillimisht thani mishin me një letër kuzhine.
Mishi mund të mbajë një shtresë lagështie në pjesën e jashtme, kështu që nëse dëshironi të skuqni sa më mirë largoni fillimisht ujin.

Ruani pastërtinë në hapësirën e punës.
Mblidhni në një tas të gjitha mbetjet ushqimore, për të ruajtur rregullin dhe për ta bërë më të lehtë dhe të këndshëm procesin e gatimit.

Shtoni kripë në kërpudha dhe në kungujt e njomë pasi të marrin ngjyrë, jo më parë.
Të dy mbajnë ujë të tepërt dhe kripa e nxjerr atë edhe më shumë, duke bërë që ushqimi të zbutet së tepërmi. Gjithashtu, sigurohuni që ato të jenë plotësisht të thata përpara se t’i skuqni.

Njomni në ujë dhe kripë gjoksin e pulës përpara gatimit.
Zierja ose njomja e shpejtë në kripë dhe ujë ndihmon mishin të mbajë lagështinë dhe të jetë edhe më i shijshëm. Kjo metodë kërkon vetëm 15 minuta.

Nëse keni shtuar shumë kripë, shtoni diçka me aciditet.
Uthulla ose agrumet duke qenë acide, ndihmojnë në balancimin e shijes nëse gjella juaj ka shumë kripë.

Përfundoni përgatitjen e salcës duke shtuar pak gjalpë.
Herën tjetër që do të bëni një salcë, shtoni pak gjalpë të ftohtë në fund për të pasuruar shijen.

Ruani kockat ose mbetjet e perimeve për të bërë lëng.
Jo vetëm që lëngu i mishit ose perimeve i bërë në shtëpi është i lehtë për t’u përgatitur, por është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për të reduktuar mbetjet ushqimore dhe për të shtuar shije në shumë gatime të tjera.

Lexoni plotësisht recetën dhe përgatisni të gjithë përbërësit paraprakisht.
Të lexosh të gjithë recetën dhe të përgatisësh paraprkisht të gjithë përbërësit, e bën procesin e gatimit më të thjeshtë dhe më pak të mundimshëm./AgroWeb.org

SHKARKO APP