Temperaturat e larta shtojnë helmimet ushqimore, Brataj: Kujdes me ruajtjen e produkteve
Vala e temperaturave të larta gjatë këtyre ditëve ka sjellë një rritje të rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre lidhen me probleme gastrointestinale të shkaktuara nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara.
Sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare të Urgjencave, Skënder Brataj, 17.4% e personave që janë paraqitur në qendrat verore kanë shfaqur probleme të sistemit gastrointestinal. Rastet janë evidentuar kryesisht pas konsumimit të ushqimeve në restorante dhe lokale, veçanërisht në zonat bregdetare ku ka fluks të lartë pushuesish.
Brataj u bën thirrje bizneseve që merren me përgatitjen dhe tregtimin e ushqimeve, përfshirë restorantet, pikat e shitjes së mishit dhe peshkut, që të respektojnë me rigorozitet kushtet e ruajtjes së produkteve.
Sipas tij, ruajtja e vazhdueshme e temperaturës së duhur është thelbësore, pasi temperaturat e larta favorizojnë shumë shpejt shtimin e toksinave në ushqime. Në rastet e helmimit, simptomat si të vjellat mund të shfaqen brenda pak orësh.
Brataj thekson gjithashtu rëndësinë e rehidratimit për personat që përjetojnë të vjella apo diarre. Humbja e elektroliteve mund të çojë në dehidratim dhe të shkaktojë pasoja serioze për organizmin, ndaj ato duhet të zëvendësohen në kohë.
Kujdes, sipas tij, duhet të tregojnë edhe qytetarët në shtëpi, veçanërisht gjatë përdorimit të produkteve të ngrira apo ushqimeve që kërkojnë ruajtje në temperatura të kontrolluara.
KOHA JONË SONDAZH

