Vitamina D, shenjat që tregojnë se ju mungon
Vitamina D është një lëndë ushqyese që i nevojitet trupit për të ndërtuar kocka të forta dhe për t’i mbajtur ato të shëndetshme. Ajo gjithashtu rregullon shumë funksione të tjera qelizore në trup. Vetitë e saj antiinflamatore dhe antioksidante i nevojiten një sistemi të shëndetshëm imunitar, muskujve dhe qelizave të trurit.
Kjo vitaminë nuk gjendet në shumë ushqime, por mund ta merrni nga salmoni dhe sardelet. Suplementet e vitaminës D, qofshin dietike apo si medikamente, duhet të merren vetëm me recetë të mjekut, ndaj këshillohet të ndiqni udhëzimet e tij në lidhje me sasinë, shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen e trajtimit. Trupi gjithashtu prodhon vitaminë D kur rrezet e diellit direkte konvertojnë një kimikat në lëkurë në formën aktive të vitaminës.
Vitamina D është një nga më të rëndësishmet për shëndetin e organizmit. Në rast të mungesës së saj, mund të shfaqen disa sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejt në metabolizmin e kockave dhe dobësim të tyre.
Gjithashtu, hipertensioni, diabeti dhe disa çrregullime neurologjike, si skleroza e shumëfishtë, janë të lidhura ngushtë me mungesën e vitaminës D. Për të kuptuar nëse ju mungon vitamina D, është e nevojshme të bëni një analizë gjaku, megjithëse ka disa simptoma që veprojnë si sinjale alarmi.
Këto simptoma janë: lodhja, dhimbjet dhe dobësia e muskujve, dhimbjet e kockave ose kyçeve, rënia e flokëve, sëmundjet e shpeshta dhe depresioni, ankthi, luhatjet e humorit dhe çrregullimet e gjumit.