Aktori i famshëm rrëfen darkën e ‘mankthshme’ me Trump: “M’u desh të tymosja një cigare hashash”

Një mbrëmje për t’u harruar, ajo që Woody Harrelson kaloi në shoqëri të Donald dhe Melania Trump në vitin 2002.

Një darkë që zgjati mbi dy orë e gjysmë, në të cilin manjati fliste vetëm vetë dhe i mërziste pa fund të pranishmit.

Ky është kujtimi që ka aktori i famshëm i “Propozim 1mln dollarësh”, i  cili e rrëfeu ngjarjen për revistën  “Esquire”:

“Ishte e tmerrshme, m’u desh të dilja jashtë e të tymosja një cigare hashash”.

“Brutal” është përcaktori që përdori Harrelson për të përshkruar takimin.

Woody ishte ftuar nga miku i tij Jesse Ventura për të kaluar një mbrëmje me Trump dhe me atë që, tre vjet më vonë do bëhej gruaja e tij.

“Në një tryezë normale me katër vetë, çdo kush do kishte të drejtën e 25% të bisedës, apo jo?  Melania pati rreth 0,1%, mbase. Unë pata 1%. Guvernatori, Jesse, pati rreth 3%. Trump mori gjithë pjesën tjetër. Ishte e tmerrshme dhe m’u desh të dilja për të tymosur një cigare hashash para se të kthehesha tek monopoli i monologut”, rrëfen aktori.

“Vij nga Hollywood-i, kam parë narçistë. Por ai është përtej. Më çmendi”.

Mes shumë pallavrave, aktori pranon se presidenti i tanishëm i SHBA ka thënë edhe një frazë të saktë : “Kur të vdes, nuk ka rëndësi se sa do vlejë pasuria ime, e di që fëmijët do zihen për trashëgiminë”, mësohet të ketë thënë Trump.

“Kjo ishte e vetmja gjë e vërtetë që tha atë natë”, përfundon aktori.

SHKARKO APP