Alis emocionon Europën në finalen e Eurovisionit me këngën “Nan”
Alis ka dhuruar një performancë mbresëlënëse në finalen e Eurovision Song Contest që po zhvillohet në Vjenë, duke përfaqësuar Shqipëria me baladën emocionale “Nan”.
Këngëtari shqiptar performoi i pesti në skenën e “Wiener Stadthalle”, ndërsa interpretimi i tij u shoqërua nga prania artistike e aktores Rajmonda Bulku, e cila i dha këngës një dimension më të thellë emocional dhe teatral.
“Nan” trajton lidhjen mes nënës dhe fëmijës, duke prekur tema universale si malli, emigracioni dhe forca e familjes, motive që kanë rezonuar fuqishëm me publikun shqiptar dhe atë europian.
Kënga është kompozuar dhe shkruar nga vetë Alis në bashkëpunim me Desara Gjini, ndërsa produksioni muzikor është realizuar nga Erjet Barbullushi.
Vargjet “Ta dish se nana po ju pret / E nana ju po ju përcjell…” janë bërë virale në rrjetet sociale që pas gjysmëfinales së dytë dhe kënga renditet ndër më të klikuarat në kanalin zyrtar të Eurovisionit në YouTube.
Shumë fansa dhe komentues të festivalit e kanë cilësuar “Nan” si një nga këngët më autentike dhe prekëse të këtij edicioni, duke sjellë në skenën europiane një histori me emocion dhe identitet shqiptar.
Si ta votoni:
- Me SMS (Diaspora): Dërgoni kodin 05 në numrin e shtetit ku ndodheni (Gjermani, Zvicër, Itali, Francë, Greqi, Belgjikë, etj.).
- Online (Mbretëria e Bashkuar, Australi dhe “Rest of the World”): Aksesoni faqen zyrtare www.esc.vote dhe përzgjidhni Shqipërinë.
KOHA JONË SONDAZH

