Amos Zaharia flet pas eleminimit nga ”Big Brother Vip”: Ky format krijon modele në shoqëri
Aktori Amos Muji Zaharia, ishte i eleminuari i së martës nga shtëpia e ”Big Brother”, dhe dalja e tij përkoi me një video virale, ku ai ofendonte rëndë Kiarën. Aktori përmes një reagimi në rrjete sociale, teksa falënderon gjithë njerëzit që e mbështetën në rrugëtimin e tij, kërkon ndjesë për këdo që mund të jetë ndjerë i fyer nga shakatë apo sjellja e tij.
“Të dashur miq! Ju falenderoj shumë për mbështetjen që më keni dhënë gjatë rrugëtimit tim në ‘Big Brother’. Qëndrimi larg familjes, miqve dhe profesionit nuk ka qenë i lehtë, ndaj jam i lumtur që i rikthehem jetës dhe angazhimeve të mia. Shumë prej jush që më njohin e ma dinë humorin, më kanë kuptuar, e shumë të tjerë që nuk më njohin, më kanë keqkuptuar. Nëse dikush është ndjerë i fyer apo i prekur nga shakatë e mia, sjella ime, qëndrimet e mia në raport me komunitetin brenda shtëpisë, kërkoj ndjesë”,-shkruan aktori.
Nga ana tjetër, ai thotë se ky format krijon modele në shoqëri, por vetë ai la pas një model që edhe pse me termin batutë e zezë, kishte skenare për rrëbim dhe torturë në pyll, apo dhe djegie me benzinë.
“‘Big Brother” është një lojë, por nuk duhet zhveshur nga misioni edukativ, pasi duam apo nuk duam, krijon modele në shoqëri. Ajo që ka rëndësi është të mbetemi njerëz dhe të mos humbasim qytetarinë dhe këtu përfshij edhe veten time mbi të gjithë! Ju përqafoj të gjithëve”,-përfundon Amos.