Assange u bë dy herë baba në ambasadën ekuadoriane, partnerja kërkon lirimin
Partnerja e Julian Assange, Stella Moris, ka kërkuar lirimin e themeluesit të WikiLeaks “nga burgu anglez për periudhën e pandemisë së Covid 19.”
Ajo tha se ka frikë se partneri i saj mund të infektohet nga koronavirusi, duke zbuluar se çifti ka “dy fëmijë”, të cilët erdhën në jetë gjatë periudhës që jetonte brenda Ambasadës ekuadoriane në Londër .
Assange mbahet në burgun e Belmarsh në Londër, pasi policia e largoi atë nga ambasada e Ekuadorit një vit më parë dhe është në pritje të një seance ekstradimi në emër të Shteteve të Bashkuara, ku ai kërkohet për tu marrë në pyetje për aktivitetet e WikiLeaks.
Ai ka muaj që është në gjendje të dobët shëndetësore, por miqtë e tij thonë se koronavirusi tani po përhapet në Belmarsh.
Moris ka treguar se ajo u takua me Assange në 2011 kur ishte studiuese juridike dhe iu kërkua të shikonte teorinë dhe praktikën juridike suedeze.
“Me kalimin e kohës Julian dhe unë zhvilluam një lidhje të fortë intelektuale dhe emocionale. Ai u shoku im më i mirë dhe unë e atij,’ citohet të ketë deklaruar ajo në kërkesën për lirim me kusht të Assange në gjykatë.
“Miqësia u zhvillua, dhe përkundër ‘rrethanave të jashtëzakonshme’, një marrëdhënie e ngushtë filloi në 2015”, shpjegon ajo.
Çifti ka dy fëmijë të vegjël, Gabriel 3 vjeç dhe Max 1 vjeç, të cilët deri më sot i ka mbajtur jashtë vëmendjes publike për të mos u ndikuar nga çështja e zhurmshme e Assange.