Chiara Ferragni nuk është më “mbretëresha e Instagram-it” në Itali, ja kush e rrëzoi nga froni

Chiara Ferragni nuk është më “mbretëresha e Instagram-it” në Itali! Khaby Lame, 21-vjeçari, që është bërë shumë i famshëm me videot e tij në TikTok ka rrëzuar blogeren nga froni. Ai numëron tashmë mbi 24 milionë ndjekës në Instagram dhe zyrtarisht është “mbreti i Italisë” në këtë rrjet social.

Chiara Ferragni tashmë renditet në vendin e dytë me 23.9 milionë ndjekës. Në fakt kjo lëvizje nuk ishte totalisht e papritur, duke pasur parasysh famën e jashtëzakonshme që tiktokeri italian ka marrë muajt e fundit.

 

Mbretëria e vërtetë e Khaby Lame ekziston në TikTok, ku ai është profili i tretë më i ndjekur në gjithë botën me 74 milionë ndjekës. Ai renditet pas Charli D’Amelio dhe Addison Rae, por me shumë mundësi mund të zërë vendin e parë edhe në TikTok nëse vazhdon me këto ritme.

Në pranverën e 2020-s, Khaby Lame ishte vetëm një 20-vjeçar që jetonte në Chivasso, një provincë në Turin. Sot ai zë vendet e para në gazetat ndërkombëtare si një nga njerëzit më të ndjekur në rrjete sociale në mbarë botën. Në muajin mars të vitit të shkuar, Khaby vendosi të hapte një adresë në TikTok për të realizuar disa video gazmore, si një lloj reagimi për disa video të çuditshme që qarkullojnë nëpër rrjet. Këto video arritën shpejt një sukses shumë të madh dhe u shpërndanë kudo me shpejtësi duke i dhënë Khaby-t famën që ai ka sot.

Siç thuhet në mediat italiane, fitimet e Khaby-t nga TikTok kapin një shifër të majme. TikTok paguan 0.01 euro për 1000 shikime dhe në muajin e fundit ai ka arritur 1 miliard e 977 milionë shikime, që do të thotë se fitimi i Lame, sipas llogaritjeve të medieve italiane, është rreth 19.777 euro, vetëm në muajin e fundit.

SHKARKO APP