Dikur pastor, Prefekti i Tiranës tregon si u njoh me bashkëshorten
I ftuar në rubrikën “Gjysma ime” tek E Diela Shqipare, ka qenë Prefekti i Qarkut të Tiranës, Toni Gogu së bashku me bashkëshorten e tij, Edi Gogu. Ndër të tjera gjatë intervistës, ata kanë treguar edhe si janë njohur me njëri-tjetrin kur ishin të rinj.
Ardit Gjebrea: Ju si jeni njohur?
Toni Gogu: Ne jemi njohur në kishë, të dy kemi qenë anëtarë të një kishe në kryeqytet që vazhdon të jetë shumë aktive, të kishës Rilindja. Të dy ishim të rinj dhe të përfshirë në shërbesat e kishës.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishit?
Toni Gogu: Kur jemi njohur unë mund të kem qenë 22-23 vjeç, ndërsa Edi 18-19 vjeç. Ne vetëm jemi njohur, unë dija se kush ishte Edi, por nuk jam duke thënë që u njohëm duke filluar një marrëdhënie dashurie. Marrëdhënia e dashurisë do të vinte më pas. Në fillim kemi qenë shumë shokë. Është e vërtetë që Edi ishte shumë tërheqëse, por ajo që mua më tërhoqi më shumë ishte karakteri i saj.
Ardit Gjebrea: Ishe pastor, çfarë predikonte Toni që nuk e predikonin të tjetër që ty të pëlqente?
Edi: Jo vetëm atëherë por edhe tani, unë mendoj që Toni ka një tipar shumë të veçantë, Toni është shumë i sinqertë dhe në ato gjëra që thoshte, Toni nuk kishte frikë të pranonte dhe që kishte gabuar. Pra nuk ishte ky shenjti që ne mendojmë, por ishte njeriu me përpjekjet e tij për t’u afruar drejt perëndisë, kjo mua më tërhoqi shumë.
Ardit Gjebrea: Cili ka qenë momenti kur ke qenë e dyjëzuar për të?
Edi: E dyjëzuar asnjëherë, por ndonjëherë e mërzitur ose e nevrikosur. Çfarë bën ti shpesh që nevrikosem unë?
Tani Gogu: Edi mërzitet në momentin që humbet vëmendja nga gjërat e rëndësishme, e para është marrëdhënia jonë dhe kur fillon ajo peshorja midis familjes, punës, fillon të marrë në krahun e punës, patjetër që Edi mërzitet dhe kam përshtypjen që do donte të dëgjonte pak më shumë… Edi është romantike dhe si e tillë do një romantik dhe këtu e kemi pak problemin.
Edi: Është përmirësuar shumë Ardit, sa më shumë kalon koha, aq më i mirë bëhet.