Dua Lipa e mirëpriti versionin e ri të “Don’t Start Now” të interpretuar nga Hayley Williams
Vokalistja e bendit “Paramore”, Hayley Williams, e interpretoi një version më melankolik të hitit të ri të Dua Lipas, “Don’t Start Now”.
Muzikantja e njohur ishte duke performuar në emisionin e radios BBC, “1 Live Lounge”, dhe kishte zgjedhur për ta interpretuar si ‘cover’, këngën e njohur të Lipës, transmeton Koha.net.
Para se ta performonte këngën, Williams i kishte thënë prezantueses së këtij emisioni: “Ne e kemi ndryshuar paksa këngën, në mënyrë që ta interpretojmë sipas stilit tonë. Shpresojmë që Duas do t’i pëlqejë ky version”.
Dhe po, Dua Lipa i ka mirëpritur ndryshimet që Williams ia ka bërë hitit të saj “Don’t Start Now”, dhe për ta përkrahur atë, Lipa e ka postuar një fragment të kësaj performance në Instagramin e saj.
“Don’t Start Now” është pjesë e albumit të ardhshëm të këngëtares kosovaro-britanike, “Future Nostalgjia”, dhe deri më tani i numëron më shumë se 124 milionë klikime në YouTube.
Hayley Williams, përveç si anëtare e bendit “Paramore” është duke e zhvilluar një karrierë edhe si solo këngëtare. Së fundmi, ajo i ndau me gjithë fansat dy këngë nga albumi i saj debutues, “Simmer” dhe “Leave It Alone”, derisa albumi i ri i këngëtares me titull “Petals For Armor”, do të publikohet më 8 mars të këtij viti.