Dy emra e mëdhenj të ekranit turk dënohen me burg, ja çfarë po ndodh me aktorët
Halit Ergenç i njohur nga roli legjendar në “Suljemanin e Madhërishëm” dhe Riza Kocaoglu, një nga figurat më të dashura të serialit “Çukur” janë dënuar me burg nga një gjykatë turke. Lajmi ka tronditur fansat dhe industrinë e argëtimit: të dy janë shpallur fajtorë për dhënie të dëshmive të rreme në një hetim të lidhur me protestat e famshme të Parkut Gezi, që tronditën Turqinë në vitin 2013.
Për ata që nuk janë të njohur me ngjarjet: në vitin 2013, një grup qytetarësh protestuan ndaj shkatërrimit të Parkut Gezi në qendër të Stambollit për t’i hapur rrugë një projekti ndërtimi. Ajo që nisi si një protestë mjedisore u kthye shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare kundër qeverisë dhe kufizimit të lirive demokratike. Protesta u përhapën në qytete të ndryshme dhe u shoqëruan me dhunë policore dhe qindra arrestime.
Në mesin e hetimeve për organizatorët e protestave, në vitet që pasuan, u përfshi edhe menaxherja e famshme e artistëve turq, Ayse Barim. Prokuroria e akuzoi atë se kishte ndihmuar në përfshirjen e figurave të njohura në protesta për të shtuar ndikimin publik. Gjatë procesit gjyqësor, Halit Ergenç dhe Riza Kocaoglu u thirrën si dëshmitarë në mbrojtje të saj. Ata mohuan lidhjet me organizimin e protestave apo përfshirjen aktive në to.
Pse u dënuan me burg?
Sipas gjykatës, të dy aktorët kishin dhënë dëshmi të pasakta, duke fshehur faktin se ishin të pranishëm fizikisht në disa nga protestat dhe kishin kontakte të drejtpërdrejta me individë që u konsideruan organizatorë. Media turke raportoi se ekzistojnë pamje dhe komunikime që i lidhin ata me protestat. Me këtë bazë, gjykata i shpalli fajtorë për dhënie të dëshmive të rreme një akuzë serioze që në Turqi dënohet me deri në 4 vjet burg.
Në gjyqin e fundit, ata u dënuan me nga rreth 1 vit e 8 muaj deri në 1 vit e 10 muaj burg secili. Por, gjykata vendosi të shtyjë ekzekutimin e dënimit për 5 vjet, që do të thotë se ata nuk shkojnë menjëherë në burg, por janë nën një periudhë prove. Nëse gjatë këtyre 5 viteve nuk kryejnë ndonjë shkelje tjetër, dënimi mund të anulohet.
KOHA JONË SONDAZH


