“Home Alone”do të rikthehet, si reagoi Kevin për vendimin e Disney

Disney raportoi ditën e djeshme se një ndër filmat e preferuar të Krishtlindjes, “Home Alone” do të rikthehet shumë shpejt për brezin e ri. Pas këtij lajmi, i cili u përhap me shpejtësi ka reaguar vetë Kevin McCallister, ose Macaulay Culkin, i cili postoi një foto qesharake të vetes.

“Kështu do të duket një version i ri i ‘Home Alone”, shkruante ai në përshkrimin e fotos ku shfaqej i ulur në kolltuk me barkun e fryrë dhe duke mbajtur një pjatë me ushqim para një laptopi.

Në filmin “Home Alone”, i cili kishte dy pjesë, Macaulay Culkin luante 8-vjeçarin guximtar Kevin McCallister, i cili u detyrua të mbrojë shtëpinë e tij nga dy hajdutë, pasi prindërit e lanë vetëm për pushime.

Filmi më pas vijoi me tre pjesë të tjera në vitet 1997, 2002 dhe 2012, por asnjëra prej të cilave nuk kishte Culkin si protagonist.

Ato nuk ishin aq të njohura sa dy të parat dhe u kritikuan shumë nga fansat e filmit. Kjo ka bërë që të ketë sërish reagime negative për rikthimin e filmit të ri.“Jooooo, Disney mos na e prish fëmijërinë!”, shkruajnë fansat e filmit në Twitter.

Të shumtë ishin ata që e kanë kritikuar Disneyn për mungesë të originalitetit dhe thjesht nuk janë dakord që “Home Alone” të bëhet sërish nga e para. Mbase kanë të drejtë, ndonjëherë disa gjëra janë më mirë të qëndrojnë ashtu, siç i mbajmë mend!/Opinion.al

 

SHKARKO APP