Ja morën Instagram-in, Rina: Asnjëherë mos shisni shpirtin
Sagës së Instagram-it të Rina Balës, duket se i erdhi fundi. Një histori të tillë s’mund ta mbyllte askush tjetër përveç reperes, kështu që pas shumë aludimesh, Rina vendosi të shpjegojë ç’ndodhi gjatë kësaj kohe, por në mënyrë “filozofike”! “T’ju flas diçka për Instagram-in dhe për gjithë rrjetet sociale që kam pasur dhe s’i kam më. Unë, personalisht pas përvojës time dy mujore që kisha pa rrjete sociale plus mungesa e Instagram-it të vjetër më ka bërë të mendoj që rrjetet sociale s’bëjnë për mua. Nuk më bëjnë të ndihem ajo që unë në të vërtet jam”. Kështu e nis Rina deklaratën përmes Instastory-it dhe nga ç’thotë eksperienca e saj me rrjetet sociale nuk ka qenë aspak e këndshme.
“Për fansat e mi, nuk ka rëndësi Instagram-i i vjetër apo një “like” për t’u ndjerë vetja. Unë e dua veten kështu siç jam. E dua jetën. Bëj atë që mua më pëlqen pa më treguar askush si të bëj, pa vendosur për jetën time. Jam e lirë dhe e pavarur nga jeta me rrjete sociale dhe nga njerëzit që më shkaktojnë stres. Se kësht unë vendosa vetë! Ju flas nga përvoja, nuk po flas thjesht për të thënë që fola diçka. I dua njerëzit që vendosin vetë për veten. I dua njerëzit e pavarur, njerëzit që punojnë me veten pa lënduar njeri. Fillo bëj atë që të thotë zemra. Rrjetet sociale krijojnë urrejtje. Rrjetet sociale janë Fake! Lajmet më të pasakta i ke në rrjete sociale. Ata duan që ti të dëgjosh çfarë ti do të dëgjosh. Ata s’duan që ti ta dish çfarë po ndodh vërtet. Puno me veten, merru me veten dhe ndihmo njerëzit që kanë nevojë. Mos krijo urrejtje. Kemi vetëm një shans për të jetuar, le ta bëjmë siç dimë vetë. Pa limite”,-vijon Rina dhe nuk e lë me kaq.
Këshilla e fundit që i jep ndjekësve na ngjan më shumë me një mësim që reperja ka marrë në të shkuarën. “Asnjëherë mos e nënshkruaj jetën tënde dhe asnjëherë mos e shit shpirtin për ëndrrat e tua. Ti je i vetmi person që mundesh t’i bësh ëndrrat realitet duke besuar në vete dhe duke patur shpresë. Sigurohu që çdo gjë që zgjedh të bësh në jetën tënde, të jetë zgjedhja jote, jo e dikujt tjetër. Der dje mendoja që njerëzit nuk i duan ata që “filozofojnë shumë”, por sot mendoj që thjesht nuk duan të pranojnë të vërtetën që ndjejnë brenda vetes”. Në gjithë çfarë tha, Rina s’përmendi asnjë emër konkret por qartazi gjërat nuk janë mbyllur mirë mes saj dhe ish-kompanisë muzikore që e menaxhonte.