Këngëtarja Besarta Kukaj sjell këngën e re – tingujt më të bukur të traditës në një potpuri unike
Ylli i ri i muzikës popullore shqiptare, Besarta Kukaj, rikthehet fuqishëm në skenë me një projekt të ri muzikor që po fiton zemrat e publikut. Vetëm 16 vjeç, por me një talent të spikatur dhe një zë të veçantë, Besarta ka publikuar këngën e saj më të fundit, e cila vjen në formën e një kolazhi muzikor.

Ky projekt përmbledh tinguj të njohur të traditës shqiptare, të ndërthurur me interpretimin e saj plot pasion dhe finesë. Videoklipi është realizuar me kujdes artistik, duke sjellë pamje të mrekullueshme dhe momente autentike që pasqyrojnë kulturën, dashurinë dhe trashëgiminë muzikore të vendit tonë.
Besarta tregon se: “U frymëzova nga këngët e vjetra për t’u dhënë jetë në një formë të re dhe më tërheqëse për publikun. Doja të ruaja traditën, por edhe ta sillja atë në një mënyrë kreative e bashkëkohore, ndaj zgjodha të rikrijoj disa prej këngëve të njohura në një projekt unik.”
Ajo ndalet edhe tek përvoja gjatë xhirimeve:
“Momenti më i bukur ishte ndjesia e bashkëpunimit me grupin dhe përcjellja e emocioneve përmes interpretimit. Sfida më e madhe ishte ruajtja e energjisë dhe interpretimi i kolazhit në mënyrë të pandërprerë.”
Ndërsa për reagimin e publikut, këngëtarja shprehet:
“Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse për mbështetjen dhe reagimet pozitive, të cilat më motivojnë të vazhdoj më tej në karrierën time. Mesazhi im për brezat e rinj është se muzika popullore është një thesar që nuk duhet harruar. Ne duhet ta mbajmë gjallë traditën duke e interpretuar përmes këngëve folklorike dhe duke ruajtur origjinalitetin e saj.”
Publiku e ka pritur me entuziazëm këtë krijim, duke e përgëzuar këngëtaren e re për profesionalizmin dhe përkushtimin e saj. Me këtë projekt, Besarta konfirmon edhe një herë se është një ndër zërat më premtues të muzikës popullore, duke treguar se arti nuk njeh moshë kur vjen nga zemra.
KOHA JONË SONDAZH

