Këngëtarja shqiptare kërkon falje për foton me majmunët e lidhur
Pas kritikave të shumta në Instagram, Jonida Maliqi fshiu foton e realizuar në Marrakesh, ku mbante në krah dy majmunë të lidhur me zinxhirë. Pas komentit të Eni Shehut, i cili i kërkoi këngëtares të fshinte foton, me dhjetëra ndjekës të tjerë iu bashkuan kërkesës së tij.
“Ata majmunë vuajnë pafund në atë gjendje me zinxhirë. Janë torturuar që të ”zbuten”. Imagjino të na lidhin ne e të na përdorim si atraksion turistik. Të lutem, gjithë bota përpiqet t’i luftojë ata njerëz-kafshë që shfrytëzojnë kafshët e pambrojtura për të nxjerrë para, [pra] të lutem Jonida Maliqi hiqe atë foto,” shkroi Eni Shehu.
Fillimisht, Maliqi iu përgjigj komentit të Shehut duke thënë se nuk e ndryshon dot fatin e tyre por gjithsesi, “ishte eksperiencë shumë e bukur”. Më vonë ajo postoi një tjetër foto nga Marrakeshi, shoqëruar me një përshkrim të gjatë në të cilin kërkon falje.
Postimi i plotë
“Kanë ardhur në adresën time shumë akuza për mungesën e ndjeshmërisë ndaj kafshëve. S’më duket normal sensi ekstrem i gjykimit, por mirëkuptoj ndjeshmërinë tuaj ndaj fenomenit që më ka bërë të reflektoj. Kërkoj falje nëse kam prekur ndjeshmërinë e dikujt. Ishte një kalim i thjeshtë pranë një majmuni, kafshë që e kam dashur që fëmijë. Nuk mendova gjatë, dalja në foto ishte spontane dhe s’kishte për qëllim evidentimin e zinxhirëve që nuk i kisha vënë re. Mendoj si ju! Është e gabuar që kafshët të lidhen me zinxhirë! Mendoj që edhe moda dhe pasioni për fotografinë duhet të kapërcejnë tundimin për të dalë në foto me një kafshë që abuzohet! Por s’do të ishte në fuqinë time ta ndryshoja fatin e asaj kafshe! Ajo që mund të bëj për t’ju respektuar dhe për të thënë time mbi fenomenin është të fshij foton! Sikurse njerëzit, edhe kafshët duhet të jetojnë lirinë si dhuratën më të madhe. Faleminderit për mirëkuptimin!
https://www.instagram.com/p/B4AntAkHceF/?utm_source=ig_embed