Loredana ylli i ri ndërkombëtar?
Loredana, prej kohësh bën pjesë në listën e shqiptareve më të ndjekura në Instagram. Dhe kur themi “ndjekur” s’e kemi fjalën vetëm për numrin e followers-ve (2.4 milion ndjekës), por për interesin dhe ndërveprimin që qartazi duket mes postimeve të saj dhe pëlqimeve të njerëzve. Ajo që fillimisht njihej vetëm si “e dashura e Mozzik” brenda dy vitesh ia doli të bëhej reperja më e famshme në Shqipëri, Gjermani dhe Zvicër. Nëse do t’i hidhni një sy “like-ve” nëpër postimet e Loredanës, do të shihni se mesatarisht numri i tyre shkon në 400.000 dhe me një përllogaritje të thjeshtë, ndërveprimi mes saj dhe fansave arrin në 20%, shifër që flet për interes shumë të lartë nga ana e njerëzve për Loredanën, krahasuar me artistë të tjerë që kanë thuajse numër të përafërt ndjekësish me të.
Nëse të njëjtën përllogaritje do ta bënim duke iu referuar Instagram-it të Encës (që ka rreth 2.1 milion ndjekës) dhe numri i pëlqimeve mesatarisht shkon në 80.000 like për foto, ndërveprimi i fansave rezulton në 0.5%. E njëjta shifër, rezulton edhe për Cardi B (56.7 milion ndjekës) pavarësisht se numri i ndjekëve dhe ai i pëlqimeve ndryshon nga njëra artiste tek tjetra, raporti i aktivitetit të ndjekësve në profilin e tyre është përafërsisht 0.5 %.
Ky raport (mes numrit të ndjekësve dhe numrit të pëlqimeve/komenteve, që tek të tjerët është rreth 0.5%) tek Loredana është 20% që do të thotë që njerëzit që e ndjekin reperen janë shumë aktiv në lidhje me postimet e saj. Çdo këngë e reperes, shndërrohet automatikisht në hit dhe sallat e koncerteve të saj jashtë vendit mbushen plot.
Skandali i akuzës për zhvatje parash, u duk si “ogur i mirë” për reperen, të cilës fill pas 24 orësh iu shtuan në llogarinë e Instagram-it rreth 24.000 ndjekës të rinj. Publiku zviceran, gjerman dhe ai shqiptar, ndjenë se Loredana ka gjithë potencialin për të qenë ylli i ri ndërkombëtar. Në nëntor të këtij viti ajo u shpall këngëtarja më e suksesshme në Zvicër në Europian Music Awards. Ndonëse fillimisht u prezantua me publikun (të paktën atë shqiptar) si e dashura e Mozzik, sot ajo ka rezultuar të jetë më e suksesshme se vetë ish-partneri. Edhe pse bashkëpunimet me Mozzik, si “Bonnie & Clyde” apo “Romeo & Juliet” i dhanë goxha famë në mesin e këngëtareve që po eksperimentonin gjithnjë e më tepër me muzikën rep, Loredana aktualisht po jeton suksesin e projekteve të saj.
Gjithashtu, kontrata me producentët Miksu dhe Macloud shërbeu si një moment kyç në karrierën e reperes. Albumi “King Lori” u bë një nga më të dëgjuarit në Zvicër dhe Gjermani. Pak kohë pas skandalit, Loredana njoftoi përmes një postimi në Instagram ndarjen nga Mozzik, duke thënë se do t’i duhet të vazhdojë e vetme si në jetën profesionale ashtu dhe në atë personale. Një ngjarje e tillë, u përkthye gjithashtu në fansa të shtuar dhe interes më të lartë. Nëse për vetëm dy vite Zefi ia doli të mbërrijë deri këtu, nuk do të jetë surprizë nëse vitin e ardhshëm e më tej ta shohim të arrijë në famën e Dua Lipa-s, Rita Ora-s e yjeve të tjera ndërkombëtare. /Anabel/