Malli për gruan, El Chapo do që ajo ta vizitojë. Ajo u dënua në vitin 2021 me 3 vite burg

Bosi famëkeq i karteleve të drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman, i ka dorëzuar një kërkesë Gjykatës së Bruklinit që bashkëshortja e tij, e cila del së shpejti nga burgu, të mund ta vizitojë në qelinë ku ai po vuan dënimin me burg të përjetshëm në Kolorado.

“Më vjen keq t’ju bezdis duke iu kërkuar autorizim për vizita nga ana e bashkëshortes sime dhe gjithashtu të marrë edhe vajzat”, shkruan El Chapo në kërkesën e tij, pjesë e së cilës është botuar nga “New York Post”.

66-vjeçari i kujton gjykatësit se gruaja e tij, Emma Coronel Aispuro, e cila u dënua në vitin 2021 me 3 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash, do të lirohet më 13 shtator.

Në letër, El Chapo shkruan se para dhe gjatë zhvillimit të gjyqit kundër tij, prokurorët ishin kundër vizitave të gruas, nga frika se mos ajo kërcënonte dëshmitarët me mesazhe nga trafikanti.

El Chapo u martua me Aispuron kur ajo ishte ende adoleshente dhe të dy janë prindër të dy vajzave, Emaly Guadalupe dhe Maria Joaquina.

SHKARKO APP