Nesër koncerti nga Enrique Iglesias në Tiranë, drejtoresha e Kulturës: Qytetarët të vijnë 1 orë më parë për të zënë vendet
Jemi vetëm 1 ditë larg një koncerti madhështor me ritme latine në kryeqytet. Drejtoresha e Kulturës, Iva Beharaj tha se në koncertin e Enrique Iglesias nuk do të ketë artistë të tjerë. Ajo e cilësoi si ”one man show” dhe u shpreh se kanë shtuar masat e sigurisë që çdo gjë të shkojë siç duhet. Një këshillë e kishte për të gjithë pjesëmarrësit që të shkojnë rreth 1 orë para për të zënë vendet e tyre në mënyrë që të mos krijohet rrëmujë.
“Gjithçka është gati për koncertin e nesërm. Duke qenë se shitja e biletave ndodhet nga një kompani private, nuk kemi një informacion të saktë të numrit të biletave por dimë që do të jetë një numër surprizues. Edhe kompania që merret me organizimin dhe menaxhmenti i artistit kanë punësuar edhe security privat për çdo incident që mund të ndodhë.
Koncerti do të nis në orën 09:00 dhe artisti i vetëm që do të performojë do jetë Enrique Iglesias. Në tokën shqiptare do të mbërrijë sot dhe do të largohet nesër pas koncertit. Qytetarët duhet të vijnë 1 orë para që të checkohen e të zënë vendet e tyre. Sado që të kemi pjesën e sigurisë, e mira është që të respektojmë rregullat dhe të gjithë të kënaqen në një koncert me ritme latine”, tha Iva Beharaj, Drejtoresha e Kulturës për Report Tv.
Enrique Iglesias është një nga artistët më të mëdhenj spanjollë, që u bë i njohur në mbarë botën në fillin e viteve 90 dhe më pas karriera e tij ndërkombëtare u zgjerua në mbarë globin. Ai është një nga këngëtarët spanjollë më të shitur në botë, ku numëron më shumë se 70 milionë disqe të shitura. Në vitin 2016 ai është cilësuar nga Billboard si mashkulli më i suksesshëm në club dance style, i të gjitha kohërave.