Nga kalaja e Lezhës, Kristiana Skura shpallet Miss Shqipëria 2016
U finalizua me sukses edicioni i 18-të i Miss Shqipëria 2016, ku nga kalaja e Lezhës si vend pritës, u zgjodh mbretëresha e re Shqiptare. Këtë vit kurorën e vajzës më të bukur në trojet shqiptare e ka marrë Kristiana Skura. Një spektakël i vërtetë ishte rezervuar për mbrëmjen e djeshme, plot me surpriza dhe nën prezantimin e Enkel Demit dhe Rozana Radit. Kalaja e Lezhës ka shkëlqyer si asnjëherë më parë.
Lezha ishte stacioni i fundit i 32 bukurosheve që morën pjesë në “Miss Shqipëria 2016”, nga të cilat mori kurorën bukuroshja me numrin 26, që prej vitesh jeton në ishullin Rodos, në Greqi. Shoqëruesja e dytë e Miss Shqipëria 2016 u zgjodh Anxhela Kulla, ndërsa shoqëruesja e parë Emanuala Kadriu.
Në karriget e jurisë, këtë vit për të gjykuar bukurinë e vajzave ishin ulur personalitete nga fusha të ndryshme. Një nga të ftuarat speciale ishte edhe këngëtarja nga Maqedonia, Kaliopi, disa herë pjesëmarrëse në Eurosong. Po ashtu, edhe Eneda Tarifa, Altin Goci, Devis Xherahu dhe Filloreta Reçi, të cilët i dhanë mbrëmje më shumë ngjyra me performancat e tyre.
Çiljeta Xhilaga ishte e pranishme në eventin e mbrëmjes në karrigen e jurisë për të dhënë disa çmime: Miss Bikinin, Miss Elegancën, Miss Buzëqeshjen, Miss Fotozheninë dhe Miss Kinemanë. Emocionin e këtij eventi Çiljeta e ndau edhe me miqtë virtualë në Instagram, ku tërhoqi vëmendje me fustanin e bardhë shumë provokues që kishte zgjedhur enkas për këtë mbrëmje.