Një shqiptare nder 25 gratë më të suksesshme në SHBA në fushën e Teknologjisë Financiare
Nga Eda Backa
Ndërkohe që rastet e suksesit nga radhët e Komunitetit shqiptar në SHBA nuk janë të pakta, kjo është hera e parë që një shqiptare ja del të renditet në radhën e më të mirave në fushën e Teknologjisë Financiare apo ndryshe e njohur si Fintech. Denada Ramnishta, u përzgjodh nga The Financial Technology Report si një prej 25 grave drejtuese në SHBA në fushën e FinTech për vitin 2022.
Financial Technology Report është një prej raporteve më prestigjiozë në këtë fushë, dhe çdo vit ka 3000-5000 nominime, prej të cilave përzgjidhen vetëm 25. Përzgjedhja e Denadës në këtë listë nuk është rastësi, por rezultat i viteve të tëra përvoje, kontributesh dhe suksesesh të saja në këtë fushë.
E larguar nga Durrësi vite më parë për të kryer vitin e fundit to shkollës se mesme në SHBA, Denada diplomohet me rezultate të shkëlqyera dhe më pas kryen studimet universitare dhe pasuniversitare në institucione arsimore si London Business School dhe Columbia Business School. Aktualisht, Denada mban postin e Chief Growth Officer & GM tek Lendio, përgjegjëse për drejtimin ekzekutiv të zhvillimit të të ardhurave. Ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe thelbësor në rritjen graduale të Lendios në kompaninë lider në financimin për biznesin e vogël në SHBA. Përpara përvojës tek Lendio, Denada ka qenë drejtuese për zhvillimin e biznesit për American Express.
Një prej sfidave më të mëdha që Denada kaloi me sukses ishte drejtimi i përgatitjeve të Lendio-s për të marrë pjesë në Paycheck Protection Program, programin e Qeverisë Amerikane për të ndihmuar bizneset e vogla në SHBA gjatë pandemisë. Në këtë kuadër, Denada mbikëqyri operacionin për financimin e 10 bilion dollarëve në kredi.
Denada dhe suksesi i saj në fushën e Fintech janë një shembull pozitiv dhe mjaft motivues për të gjitha të rejat dhe të rinjtë shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Fintech, ndonëse në fazat fillestare në Shqipëri dhe pak i eksploruar, ofron një mundësi mjaft të mirë për të rinjtë dhe të rejat. Siç edhe zhvillimet e kësaj fushe në SHBA e tregojnë, Fintech vazhdon të jetë një prej fushave më dinamike dhe konkurruese.
Ajo gjithnjë e më shumë po bëhet pjesë jetike e zhvillimit të veprimeve të përditshme për bizneset dhe individët. Shqipëria, ashtu si pjesa dërrmuese e vendeve në Botë, nuk mund t’i shmanget këtyre zhvillimeve. Për këtë arsye njohuritë, përvoja dhe shembulli i Denadës duhen përdorur për t’i shërbyer formimit dhe profilizimit të të rinjve në një prej fushave më premtuese, por edhe më konkurruese siç është Fintech.