Noizy flet për të bijën, sherrin me Encën dhe konfliktet me ”kolegët”
Në një intervistë të rrallë, i ftuar në emisionin “NIN” të Alaudin Hamitit, Noizy foli për disa detaje të jetës së tij, nga racizmi në Angli, rrugëtimi në muzikë e deri te e bija, Leandra. Reperi tha se në adoleshencë, aty rreth moshës 10-vjeçare kur u largua për të jetuar në Angli, iu desh të përballej me racizmin si fëmija i një emigranti. ”Mundja e racizmit ka qenë gjëja më e vështira. Nuk e kuptoja unë 10 vjeç që një fëmijë të thoshte ‘Mos u ul me ne se ti je refugjat, shko ulu diku tjetër’. Dashurinë e gjeta te njerëzit me ngjyrë. Realisht mbështetjen tek ata njerëz e gjeta. Aty fitova shumë shokë dhe erdhi edhe dashuria ndaj muzikës [hip hop]”,-tha Noizy.
Gjatë intervistës, Noizy u pyet për faktin se si nisi konflikti i tij i gjatë me Babastars. “Të gjithë e dinë, nuk mundet askush të thotë të kundërtën, se ka qenë një nga grupet që i kanë ndaluar artistët e rinj të çanin përpara. Mc Kreshën për shembull dhe shumë artistë të tjerë. [Duhet të ishe] ose me ata, ose pa ata jo. Kështu ka qenë edhe puna ime. Më ndalën në radio, në disko. Ndoshta jo ata direkt, por menaxhimi i tyre. E kanë pasur shumë të theksuar këtë punë. Kjo ka qenë origjina e përplasjeve. Pastaj [është edhe] egoja e një 20-vjeçari. Ç’mund të presësh nga një Noizy 20 vjeç”,- tha më tej ai.
Në lidhje me debatin me Encën, Noizy tha se “ka qenë e lodhshme” dhe përmendi mosmirënjohjen. ”Enca ka qenë shumë e lodhshme, pikë së pari. Shumë rob i lodhshëm. Ka qenë kërkuese, ka pasur gjërat pozitive të vetat, por ka qenë e lodhshme. Pastaj është mosmirënjohja. Del në televizion dhe thotë që unë [e kam bërë çdo] gjë vet. Unë nuk po them dil në televizion dhe fol për Noizy-n, por kur të bëhet pyetja, përgjigju siç është për t’u përgjigjur. Mos gënje. Thuaje drejt që më ka ndihmuar, kaq. Plus [ndikuan] edhe shumë probleme të tjera”,- shtoi më tej Noizy.
Alaudini u ndal edhe te raporti që ka sot Noizy me Dafinën dhe Ledrin. Nga përgjigjja e tij, duket se ka një raport të mirë me Ledrin, por diçka është ftohur me Dafinën. ”Ne artistët jemi të çuditshëm, jemi aq të çuditshëm sa nuk e kuptojmë njëri-tjetrin pse ai ose ajo vepron ashtu. Të më pyesësh sot pse jam distancuar pak nga Dafina, nuk jam shumë i sigurt. E di që jemi të çuditshëm. Kur dikush të bëhet halë në sy, më mirë të mos më bëj follow se më të ketë me zor”, tha ai.
Në fund të intervistës, ndër të tjera, reperi tregoi se është shumë i lidhur me të bijën, Leandrën, ndonëse nuk flet shpesh dhe nuk e poston në rrjete sociale. ”Leandra është shumë vajzë e qetë, nuk flet shumë, shumë e turpshme. Është fiks si unë. Unë jam shumë i turpshëm. Pavarësisht se e kam humbur këtë anën time se u bëra Noizy, por jam shumë i turpshëm. Realisht. Ajo është pasqyrimi im shumë. Nuk flas për të dhe nuk e nxjerr foto sepse është e vogël dhe ndoshta nuk e ka qejf famën dhe nuk do të jetë në qendër të vëmendjes. E thotë që nuk e ka qejf [famën] dhe unë e respektoj 100%”,- tha në fund Noizy.