Olen Cezari merr mesazhin surprizë nga Inva Mula: Si u takuan papritur në koncert
Artisti i njohur shqiptar, Olen Cezari është kthyer në Tiranë që të dhurojë koncert për të gjithë shqiptarët që e dashurojnë muzikën e tij. Mbrëmjen e kaluar, ai ishte i ftuar në emisionin “Tempora” në RTV Ora ku mori një mesazh surprizë nga këngëtarja e famshme Inva Mula.
Diva e muzikës lirike i kujtoi Olenit një histori që kanë përjetuar në të kaluarën, ku takimi mes tyre në një koncert në Sardenja ishte surprizë. Inva Mula rrëfeu se si po përgatitej në tendë, kur në dhomën tjetër dëgjonte muzikën e Olenit dhe ishte kurioze për të parë kush fshihej pas violinës.
Inva Mula: Do të të kujtoj një moment të bukur, që sa herë e kujtoj më vjen për të qeshur. Të sjell një kujtim nga një vend, të cilin ti e do shumë, nga Sardenja, ku unë isha e ftuar për një koncert dhe nuk e dija që aty mund të ishe dhe ti. Në fakt, si ishte takimi? Koncerti ishte jashtë në një oborr të njerëzve shumë të shquar dhe njerëz melomanë që e duan shumë muzikën, atëherë i binte që dhomat e zhveshjes ti kishim me tenda.
Unë këndoja me vokalizmat e mia në dhomën e improvizuar dhe diku tjetër dëgjoja një violinë të këndshme, një tingull të bukur dhe në një moment të caktuar u bëra kurioze të hap tendën. Në momentin që hapa tendën nga njëra anë, u hap dhe nga ana tjetër që të shikonte kush ishte vajza që këndonte. Në fakt, u takuam të dy pa ditur që ishim të ftuar dhe ishte një nga takimet më të bukura që nuk do ta harroj asnjëherë.

KOHA JONË SONDAZH

