Pas bujës në mediat serbe për Shqipërinë, reagon Bebe Rexha: Jam thellësisht e dashuruar me rrënjët e mia

Bebe Rexha me vizitën e saj në trojet shqiptare, është personazhi më i komentuar. Artistja shqiptare me famë botërore performoi në ”Sunny Hill Festival” në Prishtinë dhe më pas bëri të ditur se do të rikthehet në vendlindje, në Dibër, pas 12 vitesh.

Derisa takoi familjarët dhe ndau fotografi me ta, artistja mori vëmendje me një shkrim. “Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva për mua të gjitha janë Shqipëria ime”, u shpreh 34-vjeçarja.

Kjo deklaratë bëri bujë të madhe në mediat serbe, të cilët kanë bërë tituj të ndryshëm në lidhje me këtë. Krahas kësaj, Rexha ka bërë një reagim në InstaStory, ku thotë se është krenare që është shqiptare.

Postimi i plotë i Bebe Rexhës

Shqiptarët janë përballur me kufij shtetërorë të imponuar, duke ndarë njerëz të të njëjtit komb dhe gjak në shtete të ndryshme. Megjithatë, kur mendoj për shqiptarët, kufijtë shtetërorë kanë pak rëndësi për mua.

Mendoj për gjuhën tonë të bukur, traditat tona, muzikën dhe vallet tona, dhe shumë elementë që nuk kufizohen me kufij.

Jam thellësisht e dashuruar me rrënjët e mia, krenare që jam shqiptare dhe krenare për çdo shqiptar që jeton ende në këto troje, si dhe për mijëra në komunitetin jashtë vendit që jetojnë në Amerikë, Evropë dhe në mbarë botën.

Ju dua të gjithëve.

SHKARKO APP