
E ftuar në emisionin “Live me Luizin”, këngëtarja Ronela Hajati ka ndarë mendimet e saj për situatën në Shqipëri, duke u ndalur te pensionet, pagat, emigrimi dhe hendeku ekonomik mes qytetarëve. E pyetur nga Luiz Ejlli se çfarë do të ndryshonte nëse do të ishte në krye të qeverisë, artistja u shpreh se prioritet do të ishin rritja e pensioneve dhe e pagave, duke sjellë si shembull edhe nënën e saj, e cila ka punuar si mësuese.
“Do rrisja pensionet. Ajo nëna ime ka qenë mësuese e mrekullueshme, ka edukuar breza e breza dhe nuk merr as 200 mijë lekë. Turp e faqja e zezë. Do rrisja rrogat”, deklaroi Hajati. Këngëtarja u shpreh gjithashtu se nuk ka interes të përfshihet në politikë, duke e cilësuar atë si një fushë që, sipas saj, mund të cenojë edhe njerëzit e ndershëm.
“Fatkeqësisht, ne kemi politikë më të ndyrë seç është e ndyra në libra”, u shpreh ajo. Një tjetër çështje që Ronela vuri në dukje ishte largimi i shumë shqiptarëve nga vendi. Sipas saj, emigrimi masiv është një problem që ka pasoja edhe në mënyrën se si zhvillohen ngjarjet në Shqipëri.
“Po të ishim 8 milionë këtu në Shqipëri, shumë gjëra ndoshta nuk do të ndodhnin. Mund të zëvendësonim personat që na kanë bërë keq”, tha këngëtarja, duke theksuar dashurinë e saj për vendin. E pyetur nëse qëndrimet e saj lidhen me ngjarjet e fundit në Shqipëri, Hajati u përgjigj se bëhet fjalë për një situatë delikate. Ajo theksoi se nuk mban anë politike dhe se shqetësimi i saj kryesor është mirëqenia e qytetarëve.
“Unë jam me popullin, ça t’u bëhet atyre mirë”, u shpreh artistja. Në vijim, Ronela ngriti shqetësimin për diferencat e mëdha ekonomike mes atyre që kanë pasuri të konsiderueshme dhe njerëzve që përballen me varfërinë. “Këtu te ne ka një hendek shumë të madh mes njerëzve që kanë miliona dhe njerëzve që janë në skamje. E nëse do ishte ndryshe, askush nuk do të ikte nga këtu”, deklaroi ajo.
