Sot nis Fest 63, nga juria tek i ftuari special. Ja çfarë do të ndodhë sonte
Pak orë na ndajnë nga nisja e ngjarjes më të madhe të muzikës shqiptare. Për 4 net me radhë, duke nisur nga sot ora 21 e mbrëmjes e deri më datë 22, në Pallatin e Koncerteve mbahet Fest 63, ku një buqetë këngësh, me muzikë të mirëfilltë shqiptare, do të ngjisë në skenë 30 artistë në garë. Një traditë e përvitshme në këtë rrugëtim të gjatë, ku bashkë me atmosferën e fundvitit ky event premton për publikun emocione të forta dhe surpriza të shumta. Ky edicion do të jetë një kombinim i talentit të artistëve të mëdhenj dhe zërave të rinj që do të shoqërohen nga orkestra dinjitoze e RTSH-së.
Drejtoreshë artistike e Festivalit është Elhaida Dani, me autore Zefina Hasani. Ky spektakël i muzikës do të vijë nën regjinë e Redi Trenit, ndërsa pjesë e grupit të punës janë edhe emra të tillë, si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari apo Elton Deda.
Nata e parë rezervon shumë surpriza duke nisur nga zbulimi i skenografisë, së realizuar nga Albi Cifliku për të cilën tematikë e sivjetshme janë rrënjët. Publiku do të njihet gjithashtu me emrat e 7 anëtarëve të jurisë, që do të vlerësojnë të gjithë komponentët artistik. Te ftuarit special që do të ndezin skenën në natën e parë, reperi shqiptar Noizi dhe këngëtarin francez të hitit Mon Amour, pjesëmarrës në Eurovizion Slimane.
Nata e dytë rikthen këngëtarin e njohur Aleksander Gjoka, si të ftuar special. Një nga netët e veçanta është edhe ajo nostalgjike, ku do të interpretohen këngë pjesëmarrëse ndër vite në Festivalin e këngës, që këtë radhë do të interpretohen vetëm nga këngëtarët pjesëmarrës dhe jo me të ftuar big.
Ky edicion i kthehet formulës, vetëm të një fituesi, për atë që do të votohet më shumë. Janë të ndarë përqindjet në mënyrë të barabartë ku 50 % e ka juria dhe 50 % publiku, ndërsa një çmime do të ketë edhe për vendin e dytë dhe atë të tretë. Një nga risitë e këtij viti, është përfshirja në votim e diasporës, falë funksionimit të një sistemi online, ku çdo shqiptar mund të votojë anekënd botës.
Juria në natën e tretë do të zgjedh 15 këngët që do shkojnë në finale dhe po këtë natë, nga vlerësimi i jurisë do të ndahen 2 çmime të rëndësishme, ai për tekstin më të mirë, si dhe çmimi i kritikës. Surprizat që do të shoqërojnë këtë edicion të sivjetshëm do të zbulohen pas çdo mbrëmje, deri në natën finale me shpalljen e fituesit të Fest 63, i cili do te siguroje edhe biletën në Eurovizion vitin e ardhshëm.