10 shqiptarët më të kushtueshëm në merkato, kryesojnë “tradhtarët”
Merkato e verës po afron dhe mes 10 lojtarëve më të kushtueshëm shqiptarë, ata që mbrojnë ngjyrat kuqezi pozicionohen pas lojtarëve me origjinë shqiptare që kanë zgjedhur ekipe të tjera përfaqësuese. Portali i njohur gjerman “transfermarket”, i cili merret me përllogaritjen e vlerave të futbollistëve në treg, duke u bazuar në gjithçka të mirë shqiptarët po bëjnë, ka ndryshuar edhe shumat për kartonin e lojtarëve me zemër kuqezi, por që jo të gjithë përfaqësojnë shqiponjën dy krenare në arenën ndërkombëtare. Kështu në vendin e parë ndodhet Xherdan Shaqiri. Mesfushori i Inter vlerësohet 18 milion euro, dhe që nga mbërritja e tij në Milano duket se po pushton zemrat e tifozerisë zikaltër. Pas tij gjendet Granit Xhaka, djaloshi i lindur në Basel, i cili po ashtu si Shaqiri përfaqëson Zvicrën, është aktualisht në qendër të merkatos ku kërkohet nga Bajerni i Mynihut dhe Atletico e Madridit dhe kushton 13 milion euro, edhe pse Gladbachu pretendon 25 milionë euro. Në vend të tretë është një kampion bote, Shkodran Mustafi që luan me Valencian dhe kartoni i tij vlerësohet me shifrën e 12 milion eurove. Më pas janë të renditur Valon Behrami, Adnan Januzaj, Admir Mehmedi, i cili aktivizohet me Fraiburgun, Blerim Xhemaili dhe Pajtim Kasami i Olimpiakosit. Në vendin e 8-të ndodhet lojtari i parë që përfaqëson ngjyrat kuqezi, Shkëlzen Gashi, i cili vlerësohet 4.5 milion euro, por me golat dhe gjithçka po bën me Basel është e sigurtë që nëse zviceranët vendosin ta hedhin në treg, shuma e përcaktuar vështirë se mund të pranohet nga Basel. I 9-ti është gardiani i portës sonë Etrit Berisha, që sipas portalit gjerman kushton 3 milion euro. Taulant Xhaka, mesfushori kuqezi, nëse një ditë largohet nga Basel, klubi zviceran do të përfitojë prej tij pa diskutim mbi 2.25 milion euro.
KOHA JONË SONDAZH

