95 gola për 3 sezone, numrat tregojnë se problemi i Juventusit nuk është Ronaldo

Kur Cristiano Ronaldo u largua nga Real Madridi në verën e vitit 2018, shumë besuan se portugezi do ta udhëhiqte Juventusin drejt triumfit në Champions League, një trofe që mungon për ekipin italian që nga viti 1996. “Zonja e Vjetër” njohu një rritje të madhe të ndjekësve në rrjetet sociale, por CR7 nuk mundi që të ndihmonte ekipin për të fituar në Europë.

Gjithsesi ai ka bërë një prezantim fantastik në tri sezone deri më tani, teksa këtë gjë e konfirmojnë edhe statistikat. Në sezonin debutues realizoi në total 28 gola, në të dytin 37, ndërkohë që në sezonin aktual deri më tani ka shënuar 30. Asnjë futbollist i Juventusit nuk i afrohet shifrave të tilla.

Madje duke mbetur në Seria A, asnjë lojtar nuk ka mundur që të shënojë 75 gola në tri sezone. Ronaldo nuk ka qenë efektiv në Europë, duke shënuar 14 gola në tri sezone, por asnjë nga shokët e tij në fakt nuk ka shënuar më shumë se ai. Në total janë 95 gola në 122 ndeshje, dhe 22 asistë.

Në momentin më të vështirë të sezonit, pas shumë kritikave nga eliminimi në Champions, portugezi u kundërpërgjigj me tripletë brenda 20 minutash kundër Cagliarit. Juventus duhet të gjejë shokët e duhur për të fituar edhe në Europë, pasi numrat tregojnë se faji i disfatave nuk është i portugezit. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP