Aksident i rëndë në Brazil/ Përmbyset autobusi me tifozët e Flamengos , 46 të plagosur
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Brazil, ku një autobus me tifozë të Flamengos është përmbysur ndërsa ishte në udhëtim drejt Argjentinës, ku ekipi do të përballet me Racing Avellaneda për gjysmëfinalen e kthimit të Copa Libertadores. Fatmirësisht, tragjedia u shmang, megjithëse 46 persona u plagosën, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Sipas Policisë Rrugore Federale, aksidenti ndodhi rreth orës 18:10 me orën lokale, në kilometrin 281 të autostradës Presidente Dutra, në komunën Barra Mansa, shteti i Rio de Janeiros. Shkaqet e aksidentit ende nuk janë bërë të ditura, por pamjet e para tregojnë autobusin teksa humbet kontrollin dhe përmbyset në mes të rrugës, duke bllokuar trafikun për më shumë se një orë.
Në bord ndodheshin edhe anëtarë të tifo-grupeve “Urubuzada” dhe “Nação 12”, që po udhëtonin për të mbështetur skuadrën e Felipe Luís në ndeshjen vendimtare të Libertadores.
Të plagosurit u transportuan menjëherë në spitalin “Santa Casa” të Barra Mansa-s, ndërsa disa prej tyre u dërguan në spitalin municipal “São João Batista” në Volta Redonda. Mes të lënduarve është edhe shoferi i autobusit, i cili është hedhur jashtë mjetit gjatë aksidentit dhe ka pësuar fraktura të shumta në këmbë; ai ndodhet në terapi intensive, në gjendje të qëndrueshme. Një tjetër tifoz është operuar në dorë.
Klubi Flamengo reagoi menjëherë përmes rrjeteve sociale, duke shprehur shqetësimin dhe gatishmërinë për të ndihmuar tifozët:“Flamengo është informuar për aksidentin që përfshiu autobusin me tifozët që udhëtonin drejt Buenos Airesit dhe ka kontaktuar menjëherë kryetarin e bashkisë së Barra Mansa,” thuhet në njoftimin e klubit.
Flamengo bëri të ditur se është në kontakt të ngushtë me autoritetet lokale për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për të gjithë tifozët e përfshirë në aksident.
https://twitter.com/i/status/1982909760962998453
KOHA JONË SONDAZH

