
Ndeshja mes Paris Saint-Germain dhe Romës, e vlefshme për fazën e grupeve të Champions League dhe e programuar të zhvillohet të mërkurën në orën 21:00 në stadiumin “Parc des Princes”, ka ngritur alarmin e autoriteteve franceze për çështjen e sigurisë.
Sipas raportimit të prestigjiozes L’Équipe, takimi është klasifikuar me nivelin e rrezikut 3 nga 5 të mundshëm. Ky vlerësim lidhet me rrezikun e incidenteve që mund të cenojnë rendin publik, për shkak të tensioneve mes tifozërive apo sjelljes së disa grupeve të tifozëve.
Shqetësimi kryesor i autoriteteve lidhet me mundësinë e pranisë së tifozëve të Napolit, të cilët kanë marrëdhënie të afërta me grupimin ultras të PSG-së, “Collectif Ultras Paris” (CUP). Këto grupe kanë raporte të tensionuara me tifozët e Romës, çka ka shtuar frikën për përplasje të mundshme.
Për këtë arsye, autoritetet franceze kanë vendosur kufizime të veçanta për mbështetësit italianë. Numri i tifozëve të Romës që do të lejohen të jenë të pranishëm në stadium është kufizuar në 1.500, pavarësisht se sektori i miqve në “Parc des Princes” ka një kapacitet prej pak më shumë se 2.000 vendesh.
Masat e sigurisë do të jenë gjithashtu të jashtëzakonshme. Për mbarëvajtjen e takimit dhe kontrollin e zonave përreth stadiumit është kërkuar angazhimi i pesë njësive të policisë speciale ose xhandarmërisë së lëvizshme. Secila prej këtyre njësive përbëhet nga 60 deri në 80 efektivë, të cilët do t’i bashkohen forcave të policisë së Parisit të angazhuara tashmë për këtë ndeshje.
Një tjetër masë e rëndësishme parashikon që në zonën përreth stadiumit të lejohet hyrja vetëm e personave që disponojnë një biletë të vlefshme për takimin.
