ANALIZA/ 2021-shi një “mallkim” për Milanin, me këtë mesatare rrezikon edhe … Championsin
Ecuria e vitit 2020 dukej e vështirë, gati e pamundur për ta mbajtur të njëjtën ritëm. Milani është duke u përballur me jo pak probleme. Kuqezinjtë me ecurinë e javëve të fundit rrezikojnë që ta shohin veten edhe jashtë objektivave që kanë vendosur që në fillim të sezonit. Pioli në javët e fundit ka përsëritur se skuadra e tij nuk ka bërë asgjë deri më tani dhe se ka ende shumë ndeshje përpara. Më mirë duket që të përqendrohen te skuadrat që kanë pas shpinës për të mos rrezikuar një vend në Champions se sa të synojë titullin kampion. Në përjashtim të Napolit, Juventus dhe Atalanta në mesjavë fituan nga dy pikë kundër kuqezinjve.
Limitet – Kalendari nuk i ndihmon pasi në ndeshjet në vijim do të kenë rival aspak komod për t’u përballur: Verona, United, Napoli, sërish United dhe më pas Fiorentina. Iluzioni se Milani mund të përsëriste vitin 2020 erdhi kundër Romës pak ditë më pak, me lojë, ritëm, karakter, por më pas treguan sërish limite kundër një kundërshtari si Udinese. Ndeshjet sa vijnë dhe do të bëhen më të vështira, pasi edhe ekipet rivale kërkojnë të arrijnë objektivat e tyre. Mjafton t’i hedhim një sy mesatares së pikëve në vitin 2021 në kampionat, Milani gjendet vetëm në vendin e 6-të me 1.72 pikë për ndeshje (19 pikë për 11 sfida). Këtë statistikë e komandon Atalanta me 2.36 pikë, e ndjekur nga Interi me 2.3 dhe Juventus me 2.27. Para Milanit janë dhe Lazio me (2.2) dhe Roma (1.81).
Shkurti i keq – Normalisht 2 pikë për ndeshje deri në këtë fazë të sezonit është një rendiment për titull, por kuqezinjtë kanë këtë mesatare më shumë nga pjesa e parë shumë e mirë e sezonit. Avantazhi sa vjen e tkurret. Duke zgjeruar analizën edhe te dy kompeticionet Europa League dhe Kupa e Italisë, numrat nuk janë shumë ngushëllues për këtë vit: nga 15 ndeshje, kuqezinjtë kanë fituar 7, barazuar 3 dhe humbur 5. Muaji shkurt ka qenë vërtet i vështirë, me vetëm dy fitore në 6 ndeshje dhe arritjes me vështirësi për në fazën e 1/8-ve në Europa League. Pas 4-0 ndaj Crotone më 7 shkurt, ndeshja e vetme në të cilën Milani arriti të shënonte një gol me aksion, ka qenë kundër Romës me Rebic. Pjesa tjetër janë penalltitë dhe autogolat. Mbetet vetëm një element pozitiv, nëse barazimi i arritur në minutën e 97-të kundër Udineses, mund të quhet si shkak i frymës pozitive dhe besimit që kanë lojtarët e Milanit. /Rozalb Lika-Koha Jone/