Arbitri i “El Clasicos” shpërthen në lot: Djalit tim i thonë se jam hajdut …

Të shtunën, vjen një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit: finalja e Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Real Madridit, një sfidë që përveç rivalitetit të zjarrtë, vjen edhe me një presion të jashtëzakonshëm jashtë fushe.

Në qendër të polemikave ndodhet arbitri Ricardo de Burgos Bengoetxea, i caktuar për të gjykuar këtë përballje. Gjyqtari ka qenë në qendër të akuzave të ashpra, kryesisht nga ambienti madrilen, ku “Real Madrid TV” ka publikuar një video me vendime të dyshuara të tij kundër “Los Blancos”, duke i hapur rrugë një vale reagimesh të ashpra nga tifozët.

I prekur emocionalisht nga situata, De Burgos shpërtheu në konferencë për shtyp, ku mes lotësh tregoi vuajtjen personale që po përjeton ai dhe familja e tij, sidomos djali i mitur.

“Është e vështirë kur fëmija im shkon në shkollë dhe i thonë se ka babain hajdut. Ai kthehet në shtëpi duke qarë dhe kjo për mua është shumë e rëndë. I them çdo ditë se babai i tij është i ndershëm dhe gabon si çdo sportist tjetër,” – u shpreh De Burgos me emocion të thellë.

Ai shtoi se shpreson që kur të largohet nga bota e arbitrimit, i biri të ndiejë krenari për integritetin dhe punën e tij.

SHKARKO APP