Arsenali fiton derbin ndaj Fulhamit, vendos një gol i Trossard
Pas sukseseve të Chelsea-t dhe Manchester City-t, edhe Arsenali regjistroi një tjetër fitore të rëndësishme, duke ruajtur kryesimin e Premier League. Skuadra e Mikel Artetës triumfoi me rezultatin 1-0 në transfertë ndaj Fulhamit, falë golit të vetëm të Leandro Trossard.
Në minutat e para, rreziku i parë erdhi nga vendasit, kur Wilson gjuajti nga distanca por topi kaloi ngjitur me shtyllën. Reagimi i “Topçinjve” erdhi me Gyokeres, por tentativa e tij u ndal nga ish-portieri i Arsenalit, Bernd Leno. Pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja palët. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 59-të, kur Trossard përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe e dërgoi në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Arsenalit.
Fulhami tentoi deri në sekondat e fundit për të barazuar, por pa sukses. Arsenali mori fitoren e tretë radhazi, duke shkuar +3 pikë mbi Manchester City-n dhe duke dërguar një mesazh të qartë për Liverpoolin, që pas disfatave me Crystal Palace dhe Chelsea nuk mund të gabojë në supersfidën ndaj Manchester United.
KOHA JONË SONDAZH

