Asllani: Tani është radha ime për të treguar veten, largimi nga Interi në të mirë të të gjithëve
Kristjan Asllani po kalon një moment shumë të mirë në karrierën e tij. Mjafton të kujtohet asisti i mrekullueshëm për Armando Brojën në golin e Shqipërisë ndaj Jordanisë për të kuptuar klasin që mesfushori kuqezi ka në këmbët e tij.
Por për Asllanin, tani më shumë se kurrë, e rëndësishme është të ketë minuta dhe të ndjejë veten pjesë të projektit të skuadrës. Pikërisht kjo ishte një nga arsyet që e shtyu të largohej nga Inter për t’u transferuar te Torino. Mesfushori kuqezi është rikthyer në dispozicion të “granatave” në formë të shkëlqyer, ndërsa këtë fundjavë Torino do të përballet me Napolin.
“Tani rikthehemi. E dimë që përballë do të kemi një ndeshje shumë të vështirë kundër Napolit. Çdo herë që zbresim në fushë, futemi për të fituar. Në çdo stërvitje jemi kompetitivë, japim maksimumin, edhe pse jo gjithmonë gjërat shkojnë siç duam, si ndaj Parmës,” u shpreh Asllani.
Duke u ndalur te kalimi i tij nga Inter te Torino, mesfushori u tregua i sinqertë: “Më vjen keq që u largova nga një grup fantastik dhe nga një shoqëri e madhe si Interi, por ky ndryshim ishte i mirë për të gjithë – për mua dhe për klubin. Jam shumë i lumtur që ndodhem te Torino, e doja shumë të isha këtu. Të gjesh një grup që të do, të ndihmon shumë për t’u përshtatur.”
Sa i përket konkurrencës që kishte në Inter, Asllani shtoi: “Konkurrenca me Brozovic dhe Calhanoglu ishte e madhe. Kam pasur vështirësitë e mia, por jam i lumtur për rrugëtimin që kam bërë. Tani është radha ime për të treguar veten.”
KOHA JONË SONDAZH

