Balaj: I lumtur për rikthimin në Kombëtare, e ardhmja … jo në Superiore!
Sulmuesi tashmë veteran i Kombëtares Shqiptare, Bekim Balaj u rikthye në grumbullim me kuqezinjtë, në prag të ndeshjeve miqësore ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke në qershor. Bomberi doli në konferencën për shtyp, ku shprehu kënaqësinë për ftesën e marrë nga Reja.
“Është gjithmonë kënaqësi sa herë që marr ftesën dhe vij në kombëtare. Këto miqësore kanë vlerësimin maksimal, pasi luajmë me kundërshtarë të ngjashëm me ata që kemi në grup dhe do të përballemi në shtator në eliminatore. Përqendrimi është maksimal dhe duhet të bëjmë më të mirën në fushë.
Ndjehem mirë dhe nuk kam asnjë dëmtim, por është fundi i sezonit dhe jemi grumbulluar më herët, për të pasur më shumë kohë për t’u përgatitur. Mendoj se grupi është konsoliduar dhe nuk ka pasur shumë ndryshime. Kemi pasur dy kundërshtarë të lehtë dhe kemi marrë maksimumin. Kemi humbur ndaj Anglisë, por ne nuk duhet të matim forcat me ata, pasi e kemi garën me ekipe të tjera.
E ardhmja? Ndihem shumë mirë dhe besoj që të paktën edhe një apo dy sezone mund të luaj në nivele të larta në ligat europiane. Rikthim në Superiore? Është kohë merkatoje dhe zëra ka padyshim, por unë në planet e mia kam që të vijoj të luaj jashtë edhe për një apo dy sezone. Nuk e kam menduar ende rikthimin në Superiore”, deklaroi sulmuesi shkodran.
KOHA JONË SONDAZH

