Besiktasi ultimatum Trabzonsporit për transferimin e Ernest Muçit
Çështja e së ardhmes së Ernest Muçi vazhdon të mbetet një nga temat më të nxehta për legjionarët kuqezi. Fantazisti shqiptar ndodhet në një moment vendimtar të karrierës së tij, teksa e ardhmja luhatet mes Trabzonspor dhe Beşiktaş.
Opsioni i blerjes së kartonit të 25-vjeçarit është i vlefshëm deri më 10 maj, por drejtuesit e Trabzonsporit po tregohen të rezervuar. Sipas mediave turke, klubi nga Trabzoni kërkon një ulje të çmimit dhe nuk është i gatshëm të paguajë shifrën prej 8.5 milionë eurosh.
Nga ana tjetër, qëndrimi i Beşiktaşit është i qartë dhe i prerë: nuk ka hapësirë për negociata. Drejtuesit e klubit nga Stambolli kanë bërë të ditur se, nëse nuk ushtrohet e drejta e blerjes, lojtari do të shitet në një destinacion tjetër.
Kjo situatë vjen në një moment delikat për Trabzonsporin, që ndodhet vetëm dy pikë larg Fenerbahçe në garën për vendin e dytë, i cili siguron pjesëmarrjen në kualifikueset e UEFA Champions League.
Pavarësisht paraqitjeve të mira dhe rolit të rëndësishëm në formacion, duket se kontributi i Muçit nuk ka qenë i mjaftueshëm për të bindur drejtuesit e Trabzonsporit të investojnë shumën e kërkuar. Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij, ndërsa interesi për mesfushorin ofensiv mbetet i lartë.
KOHA JONË SONDAZH

