Brdaric: Ndaj Kukësit luajmë me pasion, e njohim kundërshtarin!
Vllaznia do të sfidojë nesër Kukësin në “Elbasan Arena”. Trajneri gjerman Thomas Brdaric doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku pranoi se ndeshja me verilindorët do të jetë ndryshe nga ajo me Teutën dhe pret që skuadra të marrë tre pikët.
“Gëzojmë një formë të mirë sportive dhe jemi optimistë. Ndeshja me Kukësin do të jetë ndryshe nga ajo me Teutën dhe do të luajmë me pasion. Jam i lumtur edhe për faktin që do të luajmë në një terren mjaft të mirë si ‘Elbasan Arena’.
Nuk besoj se ka nevojë për të ndryshuar stil loje në këto momente. Skuadra po bën paraqitje të mira dhe po tregohet superiore ndaj kundërshtarëve, por duhet të përmirësohemi në fazën e finalizimit.
E njohim kundërshtarin, pasi kemi luajtur tre herë kundër tyre dhe i kemi studiuar mirë. Kanë një trajner shumë të zotin dhe lojtarë shumë cilësorë, ndaj do të duhet të japim maksimumin dhe të provojmë të shënojmë sa më shpejt, për të menaxhuar me qetësi vijimin e lojës.
Gjithmonë ka nevojë për përmirësim, por kritikat ua themi lojtarëve në dhomat e zhveshjes. E rëndësishme është që të gjithë japin maksimumin në fushë, por natyrisht që mund të bëjmë edhe më mirë. Vllaznia ka investuar për të arritur objektiva madhorë dhe ne duhet të luajmë pa presion, me shpresën që të arrijmë sa më lart të mundemi”, deklaroi Brdaric.
KOHA JONË SONDAZH

