Capello paralajmëron Interin: Nuk duhet ta bëjë këtë gabim të madh!

Në prag të sfidës vendimtare ndaj Bayern Munich, legjenda e stolit italian Fabio Capello ka dhënë opinionin e tij nga studiot e “Sky Sport”, duke theksuar se Interi duhet të shmangë gabimin më të zakonshëm në situata të tilla: Të luajë për të ruajtur rezultatin.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Bayerni është një skuadër e fortë dhe ka cilësitë për ta përmbysur gjithçka. Interi duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Gabimi më i madh do të ishte të luante me idenë për të ruajtur avantazhin 2-1 të ndeshjes së parë. Duhet të luajnë sikur gjithçka nis nga 0-0, me guxim dhe qëndrueshmëri”, tha strategu italian.
Sipas Capellos, forca e vërtetë e zikaltërve qëndron në organizimin si skuadër: “Kur kanë hapësira, dëmtojnë çdo kundërshtar. Ndërsa Bayerni, për të përmbysur shifrat, do të duhet të rrezikojë, do të hapet – dhe aty qëndron rasti i Interit.”
Tashmë, çdo detaj është i rëndësishëm, ndërsa ora e madhe e përplasjes Inter-Bayern po afron me hapa të mëdhenj.