Ceferin reagon për Superligën Europiane: Klube të pangopura, lojtarët s’do të luajnë dot në Botëror apo Europian!
Luftë e hapur. Një ditë pas krijimit të Superligës nga klubet e mëdha europiane, qëndrimi i UEFA-s nuk është zbutur. Presidenti Ceferin ka njoftuar masa shumë të ashpra kundër klubeve rebele dhe lojtarëve të tyre. Ceferin, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në fund të samitit të Montreux, foli shumë ashpër.
“UEFA dhe bota e futbollit janë të bashkuar kundër këtij propozimi të tmerrshëm që është paraqitur nga disa klube evropiane që ndjekin vetëm idenë e lakmisë. Bota e futbollit është e bashkuar, të gjitha federatat janë kundër këtij projekti të pakuptimtë. Unë do të doja të falënderoja të gjithë familjen e futbollit, madje edhe klubet, përveç atyre 12. Kjo ide është një pështymë në fytyrën ndaj atyre që e duan futbollin”.
Jo vetëm kaq, numri një i UEFA-s konfirmon që lojtarët do të kenë pasoja nëse do të marrin pjesë në Superligë.
“Lojtarët që marrin pjesë në Superligë nuk do të luajnë në Kupën e Botës ose në Evropian. Ata nuk do të jenë në gjendje të përfaqësojnë ekipet kombëtare.”
Lëvizja e klybeve, sipas Ceferin, ka vetëm arsye ekonomike.
“UEFA shpërndan 90% të të ardhurave duke i riinvestuar ato në futboll. UEFA nuk është thjesht çështje parash, Super League po. Ato janë interesa të një grupimi, nuk do të doja t’i quaja grupime të ndyra. Parimi themelor nuk mund të ndryshojë, solidariteti është diçka e përjetshme. Por për disa njerëz solidariteti nuk ekziston, e vetmja gjë që ekziston është paraja në xhepat e tyre”. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

