Champions, Kukësi mëson kundërshtarët
Për herë të parë Kampion i Shqipërisë, Kukësi pritet të mësojë kundërshtarët e mundshëm në Champions, me të cilët do të përballet në raundin e dytë. Verilindorët e drejtuar nga Ernest Gjoka mund të përballen me një nga këto ekipe: Kopenhagen i Danimarkës, BATE Borisov i Bjellorusisë, Astana e Kazakistanit dhe Llullakut, Rijeka e Kroacisë, Sheriff Tiraspoli i Moldavisë apo Hapoel Beer-Sheva e Izraelit.
Risia në këtë edicion të Championsit është pjesëmarrja edhe e ekipit kampion të Kosovës, Trepça ’89. Kosovarët do të luajnë që në turin e parë paraeliminator, e kundërshtarë të mundshëm do të kenë The New Saints nga Uellsi, Linfield nga Irlanda e Veriut, Vikingur nga Ishujt Faroe, Hibernians nga Malta apo FC Santa Coloma nga Andorra.
Trepça do t’i zhvillojë ndeshjet me sistemin vajtje-ardhje më 27-28 qershor dhe 4-5 korrik, ndërsa Kukësi më 11-12 korrik dhe 18-19 korrik. Shorti i Championsit do të hidhet në orën 12 në Nion të Zvicrës, e do të pasohet në orën 13 me atë për Europa League.
Në Europa League do të luajnë Partizani, Skënderbeu dhe Tirana. Ekipet e tjera të shqiptarëve që marrin pjesë në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në Europë janë Prishtina dhe Shkëndija e Tetovës.
Tirana dhe Shkëndija do të ndeshen me njërën nga Trencin, Maccabi tel Aviv, Inter Baku, Dacia Chisinau, Shirak. Skënderbeu do të vihet përballë njërit prej Videoton, Ordabasy, Botev Plovdiv, Jagiellonia, Slovan Bratislava. Ndërsa Partizani me njërin mes Lincoln, Progres Mederkorn, Zaria Balti, Folgore.
KOHA JONË SONDAZH

