Champions League/ Liverpooli kërkon hakmarrjen ndaj Realit, Frankfurti sfidon Napolin e “tmerrshëm”
Mbrëmjen e sotme Champions League sjell finale e parakohshme mes Liverpoolit dhe Real Madridit, një betejë që sjell përballë dy skuadra që kanë “hesape” për të larë me njëra-tjetrën.
Reali do të bëjë udhëtimin e katërt në “Anfield” për t’u përballur me Liverpoolin. Ata humbën ndeshjen e parë në mars të vitit 2009, duke u poshtëruar në shifrat 4-0. Më pas gjërat ndryshuan pasi në dy vizitat e tjera, ata fituan 3-0 në vitin 2014 dhe barazuan 0-0 në prill të vitit 2021.
Kjo ndeshje do të jetë dhe një përsëritje e finales së sezonit 2021-22, kur Reali fitoi trofeun e 14-t në Paris duke mposhtur skuadrën e Jurgen Klopp. Ky sezon ka qenë shumë i vështirë për skuadrën angleze që noton në mesin e tabelës së Premier League.
Mediat angleze raportojnë se kjo do të jetë një duel interesant dhe për të parë dy futbollistë: I pari është Vinicius Junior, i cili po kalon një sezon magjik dhe duhet të tregojë veten dhe në duele të tilla kaq të rëndësishme. I dyti është Mohamed Salah, i cili ka qenë larg sezoneve në niveleve të larta, por kjo ndeshje mund të jetë e duhura për të shpërthyer.
Sfida e dytë e mbrëmjes është ajo mes Eintrach Frankfurt dhe Napolit. Skuadra italiane ka dhuruar spektakël këtë sezon duke qenë 15 pikë para në renditje në Seria A dhe dominuese në fazën e grupeve në Champions League. Nga parashikimet ekipi i Spalletit, nuk pritet të ketë shumë probleme dhe nuk është çudi që ta zgjidhë çështjen e kualifikimit që në sfidën e parë. /R.Lika-Koha Jonë/