Champions, Vidal mban Juven “gjallë”, Reali e mbyll pa gola me Atletikon
Ndeshjet e para çerekfinale të UEFA Champions League, mes Atletico-Madrid dhe Real Madrid e Juventus Monako, siç edhe parashikohej nuk rezultuan aq të lehta. Rivaliteti mes tyre, bëri që pjesët e para të mbylleshin pa gola 0-0. Atletiko e Real e mbyllin ndeshjen në barazim pa gola, ndërse Juve shënoi me anë të Vidal, me 11-metërsh në pjesën e dytë. kualifikimi mbetet i hapur për ndeshjen e kthimit. Champions nuk njeh favoritë, ndaj edhe trajnerët e Bajernit të Mynihut e të Barcelonës paralajmërojnë ekipet e tyre para ndeshjeve të ditës së nesërme.
Champions League- Çerekfinalet e para
Sot
Atletiko Madrid-Real Madrid 0-0
Juventus-Monako 1-0
Nesër
PSG-Barcelona
Porto-Bajern Mynih
Guardiola: Bajerni, larg euforisë në Porto
Pep Guardiola thekson se Bajern Mynih nuk duhet të shfaqet në fushë i vetëkënaqur duke i lejuar Portos shanset për t’i dhuruar ndonjë surprizë të hidhur në sfidën e parë të çerekfinaleve të Champions League. Skuadra portugeze nuk e njeh humbjen në këtë sezon të Championsit dhe zuri një vend mes 8 më të mirave të Europës, duke mposhtur Basel, me rezultatin e përgjithshëm 5-1. Përpara sfidës së 15 prillit, në “Estadio do Dragao”, Guardiola nënvizoi se skuadra e tij e goditur nga dëmtimet nuk duhet të lejojë kundërshtarët të ushtrojnë presing nëse dëshiron që të arrijë gjysmëfinalet për të katërtin vit radhazi. “Ne jemi këtu me ata lojtarë që kemi dhe do të japim më të mirën. Nuk mund ta arrijmë kualifikimin me një ndeshje të vetme, kështu që na duhet të bëjmë më të mirën në të dyja takimet. Porto nuk është një skuadër që luan vetëm në kundërsulm, atyre ju pëlqen ta kontrollojnë lojën dhe gjithashtu preferojnë të ushtrojnë presing sa më lart në zonën kundërshtare”. Edhe te Porto kanë disa mungesa por Guardiola për të krahasuar gjendjen e dy skuadrave për sa i përket dëmtimeve bën gjithçka të qartë. “Situata është e tillë. Atyre ju mungojnë disa gishta, ndërsa ne na mungojnë të dyja duart. Është një situatë e vështirë por ne jemi mësuar me të këto 3 javët e fundit, madje do të thoja edhe në këto dy vite kemi pasur shumë probleme të tilla. Na duhet të përshtatemi me këtë situatë dhe kjo është e bukura e futbollit. Kushdo që është këtu për të luajtur do të japë më të mirën. Ne do të bëjmë më të mirën tonë”. Trajneri i Portos, Julen Lopetegiu ka qenë dikur shok skuadre me Guardiolën te Barcelona. Trajneri katalanas deklaroi se është një fat që të dy sot drejtojnë dy skuadra të mëdha si Bayern dhe Porto duke përgëzuar homologun e tij për ecurinë e mirë të skuadrës portugeze në këtë sezon.
Barcelona, Enrique: Nejmar? E di unë se kush luan ndaj PSG
Trajneri i Barcelonës Luis Enrique për Paris Saint Germain në prag të çerekfinales së parë të UEFA Champions League u ndal fillimisht te analiza e ndeshjes duke theksuar se edhe me skemën 4-3-3 skuadra ndihet e sigurtë edhe pse me të njëjtin modul ekipi u mund në fazën e grupeve kundër francezëve. – “Më duhet të them se në atë periudhë luanim shumë ndryshe, por shpresoj që këtë herë historia të ndryshojë. Nga skuadra ime më pëlqen gjithçka. Jemi në vendin e parë në kampionat por duhet të përmirësohemi edhe më shumë”. Sipas tij, Paris Saint Germain ka treguar se është një skuadër e niveleve shumë të larta dhe këtë e bëri në ndeshjen kundër Chelseat. Ai u përqendrua më pas te çështja Neymar. – “Unë nuk e pashë gjestin e tij në Sevilla, por si trajner i kuptoj të gjithë lojtarët që duan të jenë në fushë. Gjithsesi, vendimet i marr unë. Në Paris kam grumbulluar pothuajse gjithë grupin por nuk kam vendosur ende kush do të luajë”. Në fund, Luis Enrique u shpreh i kënaqur nga efikasiteti i sulmit, ndërsa shtoi se blerja e Mathieu po i jep të drejtë pasi ish lojtari i Valencias ka arritur të fitojë besimin e klubit dhe tifozëve.
KOHA JONË SONDAZH

