Daja: I kemi gjërat në vijë, nuk na falen gabimet!
Partizani fitoi 3-0 ndaj Bylisit, duke u ngjitur në vendin e dytë në renditje. Trajneri Ilir Daja pas ndeshjes është shprehur i lumtur për suksesin, teksa sipas tij ekipi është në rrugën e duhur.
“Më pëlqeu frymë e grupit, shpirti i skuadrës, si dhe veprimet tekniko-taktike. Loja jonë ishte bindëse, por kemi për të rregulluar në finalizim. Shënuam vonë golin e dytë dhe kënaqemi që shënuan të tre sulmuesit. Ndërrimet i dhanë freski skuadrës dhe nuk e ndryshuan manovrën.
Mungesa e Hasanit nuk ka të bëjë me stafin teknik, por me dëmtimin. Ka dy javë që stërvitet me grupin. Kur të ketë gjendje të mirë fizike, do të ketë më shumë minuta. Nuk duam të kthehemi prapa, me ndonjë dëmtim tjetër. Përvoja e tij na vlen shumë, mund të përdorim në ndonjë pozicion tjetër.
Mënyra e lojës? Nëse e ndërton sulmin nga mbrojtja, përbën edhe njëfarë risku. Të gjithë gabojnë, edhe pse në mbrojtje nuk lejohen. E rëndësishme është që nuk ka gabime në vazhdimësi. Pranohet ndonjë gabim, jemi në javën e 27-të.
Objektivi? Me një fitore nuk e fiton titullin. Duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Nëse luajmë si sot, besoj se gjërat i kemi në vijë. Ndryshe do shkojmë drejt barazimeve. Nuk na lejohen, pasi jemi në fazën e fundit të kampionatit”, deklaroi Daja.
KOHA JONË SONDAZH

